Prokuroria kërkon ndihmën e ministrisë për hetimin e listave të veteranëve

Prokuroria e Kosovës, me një vit vonesë, i ka filluar hetimet për keqpërdorimet eventuale me listat e veteranëve të luftës, në të cilat janë përfshirë mbi 46 mijë veteranë.

Pasi ka trokitur në derën e Organizatës së Veteranvëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), prokuroria ka nisur bashkëpunimin me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Izedin Bytyqi, sekretar në MPMS, ka thënë për Indeksonline se prokuroria ka kërkuar bashkëpunimin e ministrisë në lidhje me mbledhjen e dëshmive për listat e veteranëve.

“Prokuroria e ka kontaktuar ministrin dhe ka kërkuar bashkëpunimin e ministrisë në këtë proces”, ka thënë shkurt Bytyqi.

Ai ka thënë se listat e veteranëve gjenden të Komisioni Qeveritar për verfifikimin e listave.

“Komisioni qeveritar ia ka dorëzuar raportin Qeverisë. Sipas raportit statusi i veteranit luftëtar u është njohur 46 mijë vetëve”, është shprehur Bytyqi.

Ndërsa, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka treguat se Prokuroria qe disa ditë ka dërguar inspektorë që i kanë kërkuar listat e veteranëve të cilat kjo organizatë thotë se nuk i ka.

“Listat e veteranëve për të cilat ka nisur hetimet prokuroria, nuk i kemi. Ato gjendet të komisioni qeveritar të cilat nuk i ka sjellë në organizatë”, ka thënë Gucati për Indeksonline.

Dy ditë më parë Prokuroria ka konfirmuar se i ka nisur hetimet për këto lista, përkatësisht mbledhjen fakteve dhe dëshmive.

Zyrtarët e Prokurorisë kanë thënë se dëshmitë nga hetimet mund t’ia ndryshojnë dikujt statusin, kështu që do të ketë zvogëlim të numrit të veteranëve.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës pati publikuar listat në të cilat janë përfshirë mbi 46 mijë veteranë. Ky numër nxiti debat në lidhje me keqpërdorimet e hartuesve të listave.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka tërhequr vërejtjen se ky numër i madh i veteranëve të UÇK-së e tejkalon buxhetin e planifikuar për afro 40 milionë euro në vit, gjë që shkakton deficit buxhetor. (r.m.)


>

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu