Prokuroria i prezanton fotot dhe videot për armët e fshehura të “Grupit të Kumanovës”

Edhe sot disa të akuzuar nga “Grupi i Kumanovës”, janë ankuar për keqtrajtim nga njësiti special, rrugës nga burgu deri te gjykata, raporton Portalb.

Avokati mbrojtës, Shasivar Iseni, në seancën e sotme gjyqësore, e ka njoftuar gjykatën se është keqtrajtuar, Enver Hoxha – Klein.

“I akuzuari Enver Hoxha, është keqtrajtuar gjatë rrugës nga njësiti special, veç kësaj kundër tij janë përdorur edhe fjalë fyese. Hoxha ka dëgjuar policët duke thënë që të fshihet kamera, për të mos u parë dhuna”, tha avokati Iseni.

Pas njoftimit të avokatit edhe vet Enver Hoxha, është ngritur në këmbë dhe ka vërtetuar se është keqtrajtuar rrugës dhe se ia kanë përplasur kokën me Musadik Pajazaitin, i cili është njëri prej të akuzuarve tjerë, transmeton Portalb.

Gjykatësja, Verka Petrovska, ka kërkuar nga i akuzuari Hoxha, që kur të kthehet në burg t’i drejtohet mjekut të burgut, gjegjësisht për t’i vërtetuar lëndimet dhe të sjellë në gjykatë raportin nga mjeku për gjendjen e tij shëndetësore.

Për keqtrajtim nga e njësit special, është ankuar edhe Elham Arifi, i cili në gjykatë tha se kundër tij është ushtruar dhunë derisa po e sillnin në seancë gjyqësore.

Ndryshe, seanca sot ka vazhduar me publikimin e provave materiale nga ana e Prokurorisë Publike (PP), përcjellë gazetari i Portalbit nga terreni.

PP-ja përpara Gjykatës, nëpërmjet fotove dhe video-materialeve, ka zbuluar vendin se ku janë gjetur armët, të cilat paraprakisht, sipas tyre i ka fshehur “Grupi Kumanova”.

Në fotot dhe video-materialet e PP-së, shihet se si Sulejman Osmani, njëri prej të akuzuarve, i shoqëruar nga policia zbulon vendin se ku janë fshehur armët.

Gjatë publikimit të të dhënave që i posedon PP-ja, ka reaguar Shefqet Kallaçi, njëri prej të akuzuarve, i cili ka kërkuar që edhe i akuzuari, Sulejman Osmani, të jetë prezent në seancë gjyqësore.

Për momentin po vazhdon seanca gjyqësore me publikimin e provave materiale.

Seanca e radhës do të mbahen më 6 tetor të këtij viti. /Portalb


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu