Prokuroria serbe: Radojiçiç i bleu armët në Bosnjë. Policia e Kosovës: U prodhuan në Serbi

“Nga janari 2023 deri më 24 shtator [Millan Radoiçiq] ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Ky është versioni i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për armët që u përdorën në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit që u bë ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, ku i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku.

Nga Policia e Kosovës e nga Ministria e Punëve të Brendshme në vazhdimësi ka pasur deklarime se armët e grupit terrorist që u zunë në Banjskë dhe zonën përreth janë të prodhuara në Serbi dhe viti i prodhimit të disa prej tyre (viteve të fundit, madje edhe më 2023) lë të kuptojë se grupi është furnizuar nga institucionet e Serbisë.

Në një konferencë për media më 1 tetor, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se në mesin e armëve të sekuestruara ka edhe predha të prodhuara në vitin 2023 në Serbi, të cilat, sipas tij, nuk mund të blihen në tregun e zi dhe se ato mund të gjenden vetëm në fabrikën që i ka prodhuar ose në depo të ushtrisë apo policisë.

Përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë së Serbisë.

Përmes një letre të cilën e lexoi avokati i tij, Radoiçiq mori përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë dhe njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.

Sot, autoritetet serbe e kanë arrestuar Millan Radoiçiqin.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se Radoiçiq dyshohet për vepra të rënda penale.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka njoftuar se ka intervistuar Millan Radoiçiqin, për të cilin ka thënë se po dyshohet se ka kryer veprat penale – prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paautorizuar të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe – krime të rënda kundër të sigurisë së përgjithshme.

Nga ana e Prokurorisë është thënë se gjatë seancës i dyshuari ka mohuar kryerjen e veprave penale që i vihen në barrë.

“Pas seancës, Prokuroria i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që të caktohet masa e paraburgimit për të dyshuarin për shkak të rrezikut të arratisjes” – thuhet në njoftim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu