Dy avionë bombardues rusë të tipit “Blackjack” janë kapur nga avionët luftarakë të 4 vendeve europiane, teksa fluturonin në drejtimin nga Norvegjia drejt Spanjës veriore dhe e kundërta.
Norvegjia, Britania e Madhe, Franca dhe Spanja kanë reaguar që të gjitha duke ngritur avionët luftarakë në fluturim, pasi avionët “TU-160” kishin shkelur hapësirat ajrore të këtyre vendeve. Ky zhvillim vjen në një kohë tensionesh të ndezura mes Perëndimit dhe Rusisë.
Prej kohësh, frekuenca e bombarduesve rusë të kapur e shoqëruar nga avionë të NATO-s është rritur ndjeshëm, shkruan TopChannel.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur më 22 shtator, por detajet e plota janë zbuluar vetëm së fundi, përmes një deklarate nga Ministria franceze e Mbrojtjes, në gjuhën frënge. Ai i referohet operacionit si një mision “mbikëqyrës ajror” të ndërmarrë nga të katërta vendet e përfshira.
Në deklaratë thuhet se ishte Norvegjia, e para që pikasi dy bombarduesit “Blackjack” në veri dhe menjëherë ngriti në fluturim dy avionë luftarakë “F-16”, për t’i shoqëruar ato rusë drejt veriut të Skocisë. Prej aty, ato janë shoqëruar nga avionë “Typhoon” të Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar (RAF) të ngritur nga baza ajrore në “Lossiemouth”. Në këtë moment, “RAF” bëri të ditur se avionët rusë nuk kishin hyrë në hapësirën ajrore britanike. Avionë “Typhoon” u ngritën edhe nga baza “Coningsby” në Lincolnshire, si masë paraprake, por nuk u ndeshën me bombarduesit rusë.
Avionët e Moskës vijuan përgjatë perëndimit të Irlandës dhe aty u ndeshën me dy avionë francezë “Rafale”, rreth 100 km larg brigjeve të Brittany, sipas Ministrisë franceze të Mbrojtjes. Dy avionë të tjerë luftarakë u ngritën më pas për t’i shoqëruar ata më në jug.