Pse heshtin për rastet e PSP-së gjykatësit shqiptarë të caktuar nga Ministri i BDI-së?

Lëvizja Besa përsërit edhe një herë qëndrimin e shprehur disa muaj para arritjes së Marrëveshjes së Përzhinës, se zgjidhja e krizës politike në Maqedoni nuk mjafton vetëm me Prokurori Speciale Publike, porse duhet detyrimisht edhe Gjykatë Speciale. Sipas Besës, kjo këto ditë po dëshmohet më së miri me sabotimet që ua bën Gjykata Themelore Shkupi I – Shkup rasteve të ngritura nga Prokuroria Speciale Publike. “Ashtu siç është i informuar opinioni, kjo gjykatë, që e ka për detyrë të merret me procedurat parahetimore të ngritura nga Prokuroria Speciale Publike, deri tash e ka bllokuar gati plotësisht punën e PSP-së.

Duke pasur parasysh se kjo gjykatë ka dy sektorë (të krimit të organizuar dhe të krimit të përgjithshëm) dhe më shumë 10 gjykatës, por asnjë shqiptar, kjo na jep të drejtë të pyesim se me çfarë kriteri është bërë përzgjedhja e këtyre gjykatësve aty dhe si ndodhi që aty të mos ketë asnjë shqiptar? Si e kupton ky sistem i drejtësisë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komuniteteve derisa pikërisht aty ku ndahet drejtësia ushtrohet padrejtësi?

Ndërkaq, meqë në përgjimet e publikuara dëgjuam se ministri shqiptar i Drejtësisë shumë herë ka ndikuar në caktimin e gjykatësve, patjetër duhet të pyesim se a është ky edhe vullnet i BDI-së? Nëse është kështu, a i bie kjo se BDI-ja është në vijën e njëjtë të VMRO-DPMNE-së për sabotimin e punës së Prokurorisë Speciale Publike? Nëse kihet parasysh se deputetët e saj ishin kundër zgjatjes së mandatit të PSP-së, gjë që përkon me frymën e gjykatës që e bllokon punën e Prokurorisë Speciale Publike, kjo na shpie në konstatimin se edhe partia shqiptare në pushtet është duke vepruar kundër Prokurorisë Speciale Publike, qoftë për arsye se ashtu e kanë urdhrin nga Naçallniku i tyre, qoftë për arsye se kanë drojë se edhe ata janë në listën e personave që hetohen prej saj”, vlerëson Lëvizja BESA.

Sido që të jetë, thuhet në reagim, Lëvizja BESA është këtu që të rikujtojë se pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, me BESËN në pushtet, “Prokurorisë Speciale Publike do t’i vazhdohet mandati dhe do të miratohen ndryshimet e nevojshme në Ligjin për dëshmitarët e mbrojtur, në mënyrë që të zbardhen të gjitha rastet e montuara politike, që drejtësia përfundimisht të vendoset edhe në Maqedoni dhe që kriminelët ta marrin dënimin e merituar”, theksohet në njoftim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu