Përderisa Milot Rashicës, Alban Mehës, Herolind Shalës dhe Sinan Bytyqit nuk u është dashur shumë kohë që të zgjedhin të luajnë për Kosovën, njëjtë nuk po ndodh edhe me Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin dhe Valon Behramin
Kosova po bënë përpjekjet maksimale që të tubojë yjet më të mëdhenj kosovar të futbollit, të cilët po tenton t’i bindë që të vijnë dhe të luajnë për Kombëtaren e Kosovës.
Milot Rashica, Alban Meha, Herolind Shala dhe Sinan Bytyqi tashmë kanë vendosur të luajnë për Kosovën, por kjo nuk po ndodh edhe me Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin dhe Valon Behramin.
Ata kohë më parë kishin premtuar se do të luajnë për Kosovën, por kjo nuk po ndodhë edhe pse ata kanë pranuar ftesat e përzgjedhësit Albert Bunjaki.
Xhaka, Shaqiri dhe Behrami po kanë presione të mëdha nga përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkovic dhe kjo është konfirmuar edhe nga një zyrtar i FFK’së.
“Është shumë shqetësuese presioni që po u bënë përzgjedhësi i Zvicrës Vladimir Petkovic, i cili ka arrite që të bëjë presion të futbollistët edhe pse ligjërisht dhe moralisht ata duhet të përfaqësojnë vendin e tyre”, tha një burim i Expressit brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.
Arsye tjetër se këta futbollistë pritet që të mos luajnë për Kosovën, janë edhe kontratat e tyre me kompani të mëdha, kontrata këto që do të mund të anulohen.
Kujtojmë se Kosova edhe zyrtarisht u ka bërë ftesë këtyre futbollistëve, të cilët do të kthejnë përgjigjen e tyre deri në fund të këtij muaji.