Pse të akuzuarit e “Grupit të Kumanovës” u transferuan në Ohër, institucionet heshtin ?

Institucionet kompetente nuk japin sqarime se pse janë transferuar një pjesë e të akuzuarve nga rasti “Kumanova” në burgun e Ohrit, shkruan Portalb.mk. Kujtojmë se në intervistën e fundit për media drejtori i Byros për siguri publike Mitko Çavkov deklaroi se ka pasur rast kur është parandaluar rrëmbimi i disa prej të akuzuarve në rastin “Kumanova”. Transferimi i të akuzuarve në Ohër ngre dyshime se organet kanë ndërmarrë masa për prevenimin e ndonjë rrëmbimi eventual. Nga MPB thonë se për çfarëdo informacione duhet të drejtohemi te Ministria e Drejtësisë, saktësisht te Drejtoria për zbatimin e sanksioneve.

Ministri i Drejtësisë Valdet Xhaferi për REL ka vërtetuar se 4 të akuzuar për rastin “Kumanova” janë transferuar në Burgun e Ohrit, por nuk ka precizuar arsyet për transferim.

Ai ka mohuar informacionet se të akuzuarit kanë tentuar të ikin dhe për këtë arsye janë transferuar në Ohër. Portalb ka kontaktuar edhe avokatët mbrojtës, por të njëjtit nuk kanë asnjë informacion se pse është kryer transferimi i të akuzuarve. 37 të akuzuar, po gjykohen për rastin “Kumanova – Lagjja e Trimave”, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë. Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu