Deklarata e zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti se brenda vitit do të punësohet 2 deri në 3 mijë shqiptarë në administratën publike, ka ngjallur edhe sot reagime politike. Opozitarja LSDM e quan deklaratë skandaloze të paprecedentë. Zëdhënësja Bogdanka Kuzevska akuzoi për partizim të administratës, njëjtë si në kohën e Gruevskit, gjersa hodhi edhe dyshime nëse lista e këtyre punësimeve tashmë është në tavolinën e kryeministrit Mickoski.
“LSDM pyet: Sipas çfarë kriteresh do të zgjidhen këta 3000 punëtorë? A do të ketë konkurse publike apo tashmë ka një listë të kandidatëve “të përshtatshëm”? A është tashmë kjo listë në tryezën e Hristijan Mickoskit? A hesht VMRO-DPMNE sepse tashmë është marrë vesh që disa nga këto vende të punës të jenë për kuadrot e tyre? VMRO-DPMNE, e cila derisa ishte në opozitë fliste ashpër kundër punësimeve partiake, tani hesht”, tha Bogdanka Kuzevska, zëdhënëse LSDM.
Nga LSDM kërkuan që Komisioni Antikorrupsion të veprojë menjëherë dhe ndalojnë të gjitha punësimet në administratë.
U kundërpërgjigjën nga VMRO-DPMNE, duke akuzuar socialdemokratët se po përhapë gënjeshtra, me qëllim për të mbuluar gjendje katastrofale në të cilën e ka lënë vendin.
“Pretendimet se qeveria do të punësojë 3000 njerëz janë një gënjeshtër e plotë dhe një përpjekje e dëshpëruar e LSD-së për të gjetur një justifikim për dështimin e saj politik. Nëse dikush ka krijuar ushtri ushtarësh partiakë të paaftë dhe e ka kthyer administratën në seli të Bihaçkës, është pikërisht LSD! Nëse do të ketë punësime, ato do të jenë ekskluzivisht në përputhje me regjistrimin dhe nevojat reale të institucioneve, e jo sipas listës partiake siç bëri LSD”, shtoi VMRO-DPMNE .
Këto përplasje mes dy partive më të mëdha vijnë pasi ditë më parë gjatë një aktiviteti partiak, zëvendëskryeministri i parë Mexhiti u citua nga partia të ketë thënë se brenda vitit do të punësohen 2-3 mijë shqiptarë në administratë. Kur u pyet për këtë, dje Mexhiti tha se ka folur për transformim të vendimeve në shëndetësi. Nga ana tjetër Ministrja e Financave e bëri të qartë se plani i punësimeve për 2025-tën është bërë vjet dhe se ajo nuk ka nënshkruar punësime në baza etnike, kurse Ministri i Administratës e luti Mexhitin që “të mos sillet si Liza në Botën e Çudirave” duke premtuar diçka që, sipas Minçevit, nuk është as reale dhe as e mundur pa shkelur procedurat ligjore.