Si më e mundshme për momentin është një shumicë e re parlamentare e përbërë nga LSDM dhe të gjitha partitë shqiptare me përjashtim të PDSH-së, e cila do të numëronte 67 deputetë. Edhe pse VMRO-DPMNE ka 2 deputetë më tepër se LSDM-ja, partitë shqiptare për shumë arsye do të zgjedhin këtë të fundit, shkruan portali “Ako”, transmeton Zhurnal.
Presioni i faktorit ndërkombëtar, Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, por edhe përvoja nga qeveritë e kaluara si edhe proceset e shumta të hapura nga PSP-ja kundër funksionarëve të VMRO-DPMNE-së do t`i detyrojë partitë shqiptare të bashkohen me LSDM-në për të formuar qeverinë e re. Të njejtat burime informojnë se kjo qeveri do të jetë jostabile dhe me siguri në shtator do të mbahen zgjedhje të reja parlamentare.
Të hënë pritet që Presidenti Ivanov t`i japë mandatin për formimin e qeverisë Nikolla Gruevskit por shumë shpejt do të bëhet e qartë se ai nuk do të mund të sigurojë 61 vota në parlament për votimin e qeverisë, kështu që mandati do t`i kalojë partisë së dytë më të madhe gjegjësisht LSDM-së.