E ndërsa kampet politike në Maqedoni janë të heshtura, kur kanë mbetur dhe tre ditë nga përfundimi i mandatit të Gruevksit për të formuar qeverinë e re, gjë që e ka bërë të vështirë parashikimin e asaj çfarë mund të ndodhë në orët e ardhshme, media e njohur ruse Sputnik ka tentuar zbardhë atë që e pret politikën e tendosur të Shkupit në fundjavë. Sipas Sputnik, marrëveshja është arritur tashmë mes Gruevksit dhe Ahmetit për një qeveri mes tyre, ku aleatë do kenë edhe pakicën serbe….
Portali rus Sputnik, në edicionin e tij në gjuhën serbe ka publikuar një shkrim të gjatë ku thekson se serbët e Maqedonisë kanë arritur një marrëveshje me Nikolla Gruevskin dhe Ali Ahmetin që të qeverisin në një koalicion, por ka bërë të ditur se serbët nuk e duan shqiptarizimin e Maqedonisë.
Sipas Sputnik, serbët në Maqedoni nuk duan federalizim.
Sputnik shkruan se “fitorja e Serbisë në Luftën Ballkanike u arrit në Kumanovë. Në jug, në Shkup, kryeqytetin e Republikës së sotme të Maqedonisë, ishte kryeqyteti i Serbisë i perandorit Dushan Nemanjiç. Emrat e këtyre qyteteve janë të endura përgjithmonë në themelet e identitetit serb. Sot serbët në këto zona janë në zhdukje.
Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2002, serbët në Maqedoni përbëjnë vetëm 1.78 për qind të popullsisë së përgjithshme, përkatësisht 35,939 banorë”
Sputnik thekson se opozita e Zoran Zaev hapi “Kutinë e Pandorës”, duke premtuar rishikimin e Marrëveshjes së Ohrit që i dha fund konfliktit shqiptaro-maqedonase në vitin 2001.
Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni, është partner tradicional politik i koalicionit të udhëhequr nga Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE.
Udhëheqësi i saj, Ivan Stoilkoviç tha për Sputnik se “shqiptarizimi është një problem i Maqedonisë jo vetëm për serbët, por edhe për popullin maqedonas. Fitorja e opozitës do të përkeqësonte më shumë pozitën e serbëve duke i mbyllur në veri.”
Stoilkoviç, megjithatë, thotë se qeveria e Maqedonisë nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët, por nuk mund tëbëjë as pa serbët, pa marrë parasysh që numri i etyre kundër shqiptarëve në parlament është i pakrahasueshëm.
Ndërkaq, Sputnik zbulon marrëveshjen e Ali Ahmetit me partinë e Nikolla Gruevskit. Aty thuhet se kreu i VRMO-DPMNE-së ka rënë dakord që të mos bëhet kryeministër i vendit dhe në këtë post të emërojë ish-ministrin e Jashtëm, Nikolla Poposkin.
Ndërkaq, shqiptarëve u ka dhënë postin numër 2 të shtetit që është kryetari i Parlamentit, ku flitet për Talat Xhaferin, si dhe për disa poste të tjera të rëndësishme.
Ali Ahmeti do të prezantojë në Reçicë të gjithë marrëveshjen me Nikolla Gruevskin.
Kreu i BDI-së ka thirrur kryesinë e partisë së tij dhe do të propozojë që ajo të hyjë në koalicion me VMRO-DMPNE-në. /tesheshi.com/