Qeveria në seancën e djeshme e miratoi Propozim-buxhetin për vitin 2017, i cili është zhvillimor me nivel rekord të investimeve kapitale, më të larta madje për 20 për qind në krahasim me këtë vit dhe gjatë ditës së sotme do ta parashtrojë deri te Kuvendi, informon ministri i Financave, Kiril Minoski.
Të ardhurat e tërësishme, theksoi ai, planifikohen në nivel prej 187,6 miliardë denarë, që është për 7,6 për qind më shumë se në krahasim me vitin 2016, shpenzimet e tërësishme në nivel prej 206,22 miliardë denarë, ose për 4,5 më shumë në krahasim me këtë vit, ndërsa investimet kapitale do të kenë vlerë rekorde prej 26,95 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është parashikuar të arrijë 3 për qind e BPV-së, përkatësisht 18,6 miliardë denarë në vlerë absolute.
“Buxheti për vitin 2017 është punuar në bazë të projeksionit për rritje të ekonomisë prej tre për qind vitin e ardhshëm. Konsideroj se ky është projeksion real, sepse në të janë inkorporuar parashikimet për rritje globale vitin e ardhshëm, efektet e Bregzitit, të cilat do të ndikojnë në ngadalësimin e rritjes në vendet e BE-së, si dhe pritjet për gjendjen e vendit, përkatësisht zgjidhjen e krizës politike pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare. Rritja e aktivitetit ekonomik do të nxitet nga eksporti, i cili parashikohet të shënojë rritje reale prej gjashtë për qind. Importi është parashikuar të shënojë rritje prej 4,7 për qind, me çka neto – eksporti mund të ketë kontribut të vogël pozitiv ndaj rritjes ekonomike”, tha Minoski në konferencën e mbrëmshme për shtyp në Qeveri.
Ai theksoi se bruto investimet pritet të realizojnë rritje reale prej 4,5 për qind, konsumi privat të rritet për 2,1, ndërsa ai publik për rreth 1,3 për qind. Shkalla e inflacionit do të mbetet në nivel prej një për qind, ndërsa pritet punësimi të rritet për 1,8 për qind. Bruto paga mesatare në vend duhet të shënojë rritje nominale prej 1,8 për qind.
“Të ardhurat e tërësishme tatimore pritet të shënojnë rritje prej 9,5 për qind në krahasim me vitin 2016, prej të cilave tatimi personal duhet të realizojë rritje prej 9,3, tatimi i fitimit prej 16,1, TVSH rritje për 10, akciza për 12,7 dhe dogana për 2,5 për qind në krahasim me vitin 2016”, tha Minoski.
Nga shpenzimet e tërësishme, saktëson, për shpenzimet vijuese janë planifikuar 179,26 miliardë denarë, ose rritje prej 2,4 për qind në krahasim me vitin 2016.
“Në suaza të shpenzimeve vijuese janë planifikuar 26,77 miliardë denarë për paga. Transferet sociale janë projektuar në 92,7 miliardë denarë, me ç’rast janë përfshirë edhe efektet e politikës për përkrahje të pensionistëve dhe shfrytëzuesve të ndihmës sociale. Gjatë vitit 2017, 51,2 miliardë denarë janë destinuar për pagesën e pensioneve dhe në to është përfshirë rritja e parashikuar e pensioneve për pesë për qind, duke filluar nga pensioni i nëntorit, i cili do të paguhet në dhjetor të vitit 2016. Për pagesë të kompensimit në para për personat e papunësuar janë planifikuar mjete në vlerë prej 885 milion denarë, ndërsa për zbatimin e politikave dhe masave aktive për punësim 555 milion denarë.
Për mbrojtje shëndetësore janë planifikuar mjete në vlerë prej 26,4 miliardë denarë. Janë parashikuar mjete për pagesën e rregullt dhe në kohë të obligimeve në bazë të rregullave për mbrojtje sociale të kategorive të prekura të qytetarëve në vlerë të tërësishme prej 7,8 miliardë denarë”, tha Minoski.
Në suaza të mjeteve buxhetore të destinuara për shpenzimet e kapitalit, shtoi, janë parashikuar investime të mëdha, në ndërtimin e autostradës të Korridorit 10 dhe hekurudhës, infrastrukturës energjetike dhe komunale, si dhe investimet e kapitalit për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe jurisprudencë. Saktëson se për vitin e ardhshëm është parashikuar të përfundojë ndërtimi i autostradës Demir Kapi-Smokvicë, të vazhdojë modernizimi i korridorit hekurudhor 10 dhe realizimi i fazës së parë dhe të dytë nga projekti për ndërtimin dhe rehabilitimin e hekurudhës drejt Bullgarisë.
“Janë parashikuar investime në energjetikë dhe infrastrukturën komunale për çka janë projektuar investime të kapitalit në vlerë prej 3,48 miliardë denarë, si dhe vazhdim i aktiviteteve rreth ndërtimit të Sistemit të gazsjellësit kombëtar. Me dinamikë të intensifikuar do të vazhdojë edhe ndërtimi i sistemeve të ujësjellësit dhe të kanalizimeve në komuna,… Shpenzimet e planifikuara për vitin 2017 sigurojnë përkrahje të ekonomisë vendore dhe standardit jetësor, që do të realizohet përmes investimeve të kapitalit, subvencioneve, pensioneve dhe kompensimeve sociale”, tha Minoski. I pyetur nëse është e domosdoshme mbajtja e buxhetit për vitin 2017 ose, megjithatë, mund të zgjidhet me financim të përkohshëm ashtu siç kërkon opozita, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor, Minoski tha se obligimi i tyre është ta përgatisin Propozim-Buxhetin dhe ta paraqesin deri te Kuvendi, ndërsa deputetët do të vendosin nëse do të sillet në afatin e parashikuar deri te shpërbërja e Parlamentit ose do të shkojnë në financim të përkohshëm.
“Financimi i përkohshëm është opsion i cili do të shfrytëzohet në kushte kur nuk është e mundur të paraqitet Buxheti. Ekzistojnë aspekte të caktuara negative nga financimi i përkohshëm para se gjithash në raport të obligimeve të cilat janë marrë ndërkohë, ndërsa nuk janë përfshirë në vitin paraprak për shkak të asaj që në bazë merret harxhimi në kuartalin e parë të vitit paraprak. Ana negative shtesë është pamundësia që të ndërmerren obligime shtesë”, tha Minoski.
Për borxhin publik tha se pritet deri në fund të vitit të jetë nën 50 për qind duke marrë parasysh faktin që arrijnë për pagesë linja të caktuara kreditore.
“Si Ministri mbajmë llogari për vlerën e borxhit publik dhe bëjmë projeksione dhe skenare se në cilën mënyrë më së miri ta menaxhojmë”, tha Minoski. /MIA/