Qeveria serbe urdhëron zbatimin e masave për Kosovën

Qeveria e Serbisë ka miratuar një konkluzion që urdhëron aktivitete dhe masa nga ministritë, në kuptim të mbrojtjes ligjore dhe socio-ekonomike të serbëve në Kosovë, por edhe të interesave kombëtare të Serbisë.

Ky vendim i Qeverisë serbe u mor një ditë pasi masat u prezantuan nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, deklaroi se vendimi i ekzekutivit ka të bëjë me pesë zona të veprimit që janë prezantuar nga Vuçiqi.

Këto masa, siç është thënë përfshijnë, kthimin e gjendjes para vendimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, shpalljen e Kosovës si zonë nën mbrojtje të posaçme sociale, përforcimin e mëtejmë i institucioneve serbe në Kosovë dhe që të mos lejohet mbyllja e tyre.

Sipas njoftimit të Qeverisë serbe, Vuçeviq deklaroi se kërkesa do t’i dërgohet Kuvendit serb për të shpallur të paligjshme të gjitha veprimet që janë në kundërshtim me marrëveshjet ndërmjet palëve negociuese, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Prandaj, gjithçka që dukej e njëanshme, gjithçka që zhbëri marrëveshjet dhe përpjekjet nuk ekzistojnë më për ne, janë të pavlefshme, jodetyruese dhe nuk mund të prodhojnë efekt juridik”, tha Vuçeviq.

Gjatë adresimit të tij më 13 shtator presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu