Qindra besimtarë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria të gatshëm për të kryer Haxhin

Ashtu si në vendet e tjera edhe në vendet e rajonit besimtarët muslimanë shprehin interesin e tyre për të kryer një ndër kushtet e Islamit, Haxhin. Janë me qindra pelegrinë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria që do të nisen në fillim të shtatorit drejt vendit të shenjët për të kryer Haxhin, raporton Anadolu Agency (AA).

Nga Maqedonia do të nisen 730 pelegrinë

Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit besimtarët muslimanë të Maqedonisë shprehin interesim të madh për të kryer një ndër kushtet e Islamit, Haxhin. Sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Irsal Jakupi, për AA bëri të ditur se këtë vit për kryerjen e Haxhit janë paraqitur 720 persona, ndër të cilët tre janë fëmijë të moshës dhjetë vjeçare dhe një i moshuar 83 vjeçar.

Në krahasim me vitin e kaluar, Jakupi veçoi se numri i pelegrinëve gati është dyfishuar. Ai theksoi se organizimi i vajtjes së besimtarëve në Haxh realizohet vetëm nga BFI-ja, duke mos u përfshirë asnjë agjenci private.

“Shpresojmë që do të kalojmë mirë. Jemi përpjekur që pelegrinëve t’u sigurojmë kushte sa më të mira. Hoteli ku do të qëndrojmë në Mekë është rreth 500 metra në afërsi të Qabes, ndërsa hoteli në Medine jo më shumë se 100 metra nga hyrja e xhamisë së Pejgamerit a.s.”, tha Jakupi.

Pelegrinët për kryerjen e kushtit të pestë të Islamit paguajnë 3.400 euro, mirëpo në krahasim me vitet tjera ata do të udhëtojnë vetëm përmes linjës ajrore, edhe atë vajtja Shkup-Xhide, ndërsa kthimi Medine-Shkup. Jakupi njoftoi se përgatitja e besimtarëve këto dy ditë do të përfundojë dhe do të ndahen në dy grupe të cilët do të nisen më 1 dhe 2 shtator, ndërsa do të kthehen më 23 dhe 24 shtator.

“Të gjithë pelegrinët e Maqedonisë kanë status të barabartë, pa marrë parasysh gjendjen ekonomike të tyre. Për këtë arsye kemi vendosur që vajtja dhe kthimi të realizohet vetëm me linja ajrore, që të kryejnë Haxhin në kushte të përbashkëta dhe të njëjta, pa mos dalluar asnjë pelegrinë”, u shpreh Jakupi.

Kosovë, 860 kandidatë për haxhinj do të udhëtojnë në Mekë

Në kuadër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në mesnatën e cila lidh 2-3 shtatorin, 860 besimtarë muslimanë do të shkojnë në Haxh për t’i kryer obligimet e tyre fetare.

Në një prononcim për AA, sekretari i përgjithshëm i kryesisë së Bashkësisë Islame në Kosovë, Resul Rexhepi bëri të ditur se në kuadër të këtij grupi janë edhe 32 udhëheqës të grupeve, 7 mjekë dhe 3 udhëheqës kryesorë, në krye me Vedat Sahitin, drejtor i drejtorisë për Haxh dhe Umre të kryesisë së BIK-ut. Ai shtoi se 860 kandidatë për haxhinj do të ndahen në 4 grupe, të cilët do të udhëtojnë çdo 10 orë me një avion nga Prishtina për në Xhide të Mekës.

Ndërkohë, Rexhepi theksoi se kandidati më i ri për të qenë haxhi, sivjet është një djalë në moshën 6 vjeçare, kurse ai më i moshuari në moshën 87 vjeçare.

“Bashkësia Islame e Kosovës, falë përvojës shumëvjeçare në organizimin e shkuarjes së kandidatëve të mundshëm për në haxhillëk, edhe për këtë vit i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe të duhura në mënyrë që haxhilerët kosovarë ta kryejnë obligimet e tyre sa më lehtë që është e mundur”, u shpreh Rexhepi.

Sekretari i BIK-ut njoftoi se çmimi është i njëjtë si në vitet e mëhershme, 3400 euro.

Kandidatët për haxhinj nga Shqipëria dhe Mali i Zi nisen së bashku

Ashtu sikurse në vitet e shkuara edhe këtë vit qindra besimtarë nga Shqipëria dhe Mali i Zi do të udhëtojnë drejt tokës së shenjtë për të kryer një nga ritet më të rëndësishme të fesë Islame, kryerjen e Haxhit.

Këtë vit nga Shqipëria dhe Mali i Zi janë rreth 360 kandidatë për haxhinj. Ata do të nisën në dy grupe, ku grupi i parë pritet të niset më 2 shtator dhe i dyti më 3 shtator.

Organizimi edhe këtë vit kryhet nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë, ndërkohë ky institucion ka edhe ekskluzivitetin e këtij organizimi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu