Qytetarët kanë edhe dy ditë për të kontrolluar emrin në listën zgjedhore

Edhe dy ditë kohë qytetarët do të kenë në dispozicion që ta kontrollojnë veten e tyre në Listën zgjedhore. Mesnatën e 18 marsit përfundon afati i shqyrtimit të listës zgjedhore. Komisioni Shtetëror Zgjedhor apelon qytetarët që për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare të bëjnë vetëkontroll dhe nëse është e nevojshme të kërkojnë ndryshimin, futjen ose fshirjen e të dhënave të tyre nga Lista zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Ndërsa personat që nuk do të gjenden në listën zgjedhore, nuk do të kenë mundësi ta përmbushin të drejtën e tyre të votës.

Nga KSHZ kanë bërë me dije se të gjithë të regjistruarit në listën zgjedhore do të mund të votojnë si në zgjedhjet presidenciale ashtu edhe në ato parlamentare dhe qytetarët me dokumente personale dhe dokumente udhëtimi të skaduara në nëntë muajt e fundit para zgjedhjeve do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës.

Ato qytetarë që e kanë mbushur moshën madhore dhe që nga 8 maji 2024 do të mbushin 18 vjet, do të regjistrohen në Listat zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Ndërsa për zgjedhjet presidenciale, në Lista zgjedhore do të regjistrohen qytetarët që kanë mbushur moshën madhore në datën 24 prill si datë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.

Deri më 14 mars 2024, gjithsej 22.122 qytetarë janë kontrolluar në mënyrë elektronike. Janë dorëzuar 25 kërkesa për ndryshim të të dhënave, gjashtë kërkesa për fshirje të të dhënave dhe 10 kërkesa për regjistrim të të dhënave në Listën Zgjedhore.

Sa i përket kërkesave të pranuara për regjistrim të votuesve në diasporë, deri më tani janë pranuar gjithsej 1 451 aplikacione, prej të cilave 1 101 janë pranuar, 159 janë refuzuar dhe 191 nuk janë proceduar.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu