Qytetarët janë të pakënaqur me shërbimin shëndetësor, pritjet e gjata, papastërtinë por edhe praninë e korrupsionit. Nuk besojnë as në pretimin e radhës të kreut të shëndetësisë për ndërtimin e klinikës moderne “Nënë Tereza”. Ata thonë se një premtim të tillë kishte edhe në vitin 2014, por që doli se ishte vetëm për fushatë zgjedhore, ashtu siç do të jetë edhe premtimi i radhës për gjoja ndërtimin e qendrës më moderne në rajon. Ky premtim thonë qytetarët është në shërbim të politikës në pushtet në prag të zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
“Është vështirë të besojmë sepse shumë premtime na kanë dhënë dhe asnjë nuk e kanë realizuar, unë kam dëshirë të ndërtohet por. Të gjithë janë të njëjtë zgjedhjet e këtilla janë qe 20 vjet, hyn njëri në qeveri mundohet të bën diçka por të gjithë janë gënjeshtra.”
“Këtu po bëhet tollovi e madhe dhe objektet janë të vjetra, do të duhej ndonjë objekt i ri më modern. Duhej të ndërtohet më herët kjo, tani cilat janë arsyet për vonesat ata vetë e dinë, ata të cilët kanë qeverisur me ne 25 vite, ne si popull vetëm votojmë. Atë që na e premtojnë ku e realizojnë ku jo, si për njërin komunitet ashtu edhe për tjetrin flas”.
Ministri i shëndetësisë ashtu sikur edhe në vitin 2014, të enjten shpalli nisjen e procedurave për qendrën e re klinike të Shkupi që sipas tij do të jetë më modernia në rajon në një sipërfaqe prej 17 hektarë dhe me një kosto prej 128 milion euro. Projekti duhet të përfundoj në vitin 2021.