Qyteti i përbuzur italian që po fiton çmime si destinacioni më i mirë turistik

Pavarësisht se Toskana është një destinacion shumë i dashur për turistët, Grosseto pjesë e këtij rajoni gjithmonë ka qenë i shpërfillur. Mirëpo së fundmi po mirëpret një bum vizitorësh. Vetëm një orë larg Firences dhe Sienës, Grosseto me qendrën historike të qytetit, rezervatet e natyrës së egër dhe plazhet shumë pranë, prej kohësh nuk kishte rënë në sytë e turistëve e madje as të vetë italianëve.

Tashmë papritmas është shndërruar në atë që konsiderohet “Pionieri Europian i Turizmit të zgjuar” për vitin 2024, si dhe është përzgjedhur në mes të një liste me 40 qytete. Ky konkurs synon të krijojë një rrjet destinacionesh që ndajnë praktikat më të mira për turizmin e përgjegjshëm.

Si qyteti i parë italian që fitoi çmimin, Grosseto shpreson të veprojë si një shembull se si turizmi i përgjegjshëm mund të zbatohet edhe në një vend që nuk njihet shumë nga turistët.

Nëse destinacionet e njohura si Venecia, Positano dhe Cinque Terre luftojnë me një numër të madh turistësh, përpjekjet e Grosseto ilustrojnë sesi destinacionet alternative mund të tërheqin vizitorë që kërkojnë një përvojë udhëtimi më të ngadaltë dhe më kuptimplotë.

Qendra historike e qytetit të Grosseto-s, e rrethuar nga mure mesjetare të paprekura dhe e mbushur me ndërtesa shekullore është një nga atraksionet kryesore. Vetëm disa kilometra në perëndim nga qendra, ndodhet Parku Rajonal Maremma që shtrihet nga malet Uccellina deri në detin Tirren.

Ndryshe nga pikat e nxehta turistike toskane si Firence dhe rajoni i verërave Chianti, Grosseto është një nga provincat më pak të populluara, ndaj Parku ofron ende peizazhe të larmishme të pacenuara.

Qasja e Grosseto-s ndaj turizmit ofron një plan për mënyrën sesi mund të funksionojë udhëtimi i qëndrueshëm, duke marrë parasysh gjithçka që turistët duan për vendin, bukurinë e tij natyrore, origjinalitetin, kulturën tradicionale, historinë dhe ushqimin. Udhëtari modern dhe i përgjegjshëm dëshiron një përvojë të mirëfilltë ku ata të lënë një gjurmë minimale dhe Grosseto është gati t’ua ofrojë atë.

“Kultura e udhëtimit duhet të ndryshojë, për planetin, për të mbrojtur mjedisin. Por edhe për njerëzit, ata mund të udhëtojnë dhe të shkojnë me pushime në një mënyrë tjetër dhe ne mund të jemi model për qytetet e tjera”, thotë kryebashkiaku i Grosseto-s.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu