Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e 9-të të jashtëzakonshme të mbajtur sot miratoi një Vendim për të siguruar ndihmë në vlerë prej 3 milionë denarë (pothuajse 50.000 euro) për të prekurit nga tërmeti katastrofik në Izmir, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Me këtë vendim, si shprehje e solidaritetit për viktimat, Qyteti i Shkupit ofron ndihmë në vlerë prej 3 milionë denarë, shumë që ne ua ndajmë të gjitha qyteteve për fatkeqësi të ngjashme”, thuhet në kumtesën e Qytetit të Shkupit.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, jatë seancës tha se Shkupi e di se çfarë do të thotë solidaritet në kohë katastrofash natyrore, duke shtuar se nevoja për të ndihmuar miqtë në nevojë është e domosdoshme dhe e pashmangshme.
Kryetari Shilegov gjithashtu i shprehu ngushëllimet e tij më të thella kryetarit të Izmirit, Tunç Soyer, duke uruar rikuperim të shpejtë të dëmeve dhe kthim në jetën normale. Kujtojmë se një tërmet 6.6 ballësh goditi të premten brigjet e rajonit Seferihisar, pas të cilit u regjistruan 1.225 paslëkundje, prej të cilave 43 më të forta se 4 ballë.
Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Brendshme të Turqisë dhe Agjencisë turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD), numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti në Izmir është rritur në 85 ndërsa 994 të tjerë janë plagosur.