Rama e Ahmeti po “qesin petulla në ujë”

Shkruan: Bashkim Murtezi

Tek shihja një postim të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ku thur lavde për mikun e tij, Ali Ahmetin, se sa i rëndësishëm na qenka roli i tij dhe i BDI-së për pozitën e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, më bëri të mendoj se a duhet të qesh me një ironi të tillë apo më duhet të shqetësohem jo vetëm për të vërtetat e pathëna, por edhe për botën iluzionale në të cilën po jeton kjo dyshe?

E duke e parë këtë vlerësim të tij, m’u kujtua një replikë e Dukës në një nga filmat “Disnay”, i cili teksa dëgjonte Mbretin që fantazonte për një skenar (që ky i fundit dëshironte të ndodhte), i përgjigjet “Histori e bukur për në përalla Imzot, por në jetën reale, oh jo jo….”. Kjo replikë e Dukës do të ishte “diçidurë” perfekte për këtë postim të kryeministrit Rama.

Më vjen keq që mbase e rrënoj entuziazmin e militantëve të Ramës dhe Ahmetit (BDI-së), që ose për hatër ose për shkak të krijimit të një propagande, BESOJNË në këtë “arritje historike”, por më duhet të them se ata çdo ditë e më shumë po më ngjasojnë me një personazh të Orwell-it; sepse vërtet jetojnë në një botë distopike të kontrolluar nga BIG BROTHER-i dhe nuk kanë se çka bëjnë, sepse kjo është puna e tyre në Ministrinë e të Vërtetës.

Përderisa ata jetojnë në atë botë, për realistët, shteti i kontrolluar nga BDI-ja duket kështu:

– Arritjet dhe avancimi i pozitës së shqiptarëve në shtet, edhe pse në tërësi mban vulën e gjakut të dëshmorëve, invalidëve, martirëve, luftëtarëve të lirisë, të popullit shqiptar nga këto treva, përsëri me këmbëngulje vazhdon të trajtohet si meritë e BDI-së.
– Marrëveshja e Ohrit, e garantuar edhe nga faktori ndërkombëtarë (BE, SHBA dhe NATO) për ta përmirësuar pozitën e shqiptarëve, duke ua siguruar atyre të drejtat, shtetformësinë, përfaqësimin e drejtë e të barabartë në të gjitha nivelet (administratë shtetërore, gjyqësor, funksione shtetërore, presidencë), arsim në gjuhën amtare të financuar nga shteti në të gjitha nivelet, zyrtarizim të gjuhës shqipe, të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare, ndarjen e re territoriale, decentralizim të pushtetit etj. edhe 24 vite më pas, edhe pse në bazë të po asaj marrëveshje implementimi i saj duhej të përfundonte më 2004, ende mbetet e parealizuar, ndërsa Ali Ahmeti dhe BDI-ja derisa tentojnë ta përvetësojnë implementimin e pjesshëm të kësaj marrëveshje, vazhdojnë t’i shmangen përgjegjësisë për mosimplementimin e saj.
– Përderisa trumbetojnë për Kryeministrin e Parë Shqiptar, që në fakt është vetëm kryeministër teknik 100 ditësh, çështjet bazike të asaj marrëveshje mbeten të pazgjidhura. Ja ca shembuj:

1. Shqiptarët ende nuk trajtohen si popull shtetformues në Maqedoninë e Veriu, siç deklaron Rama dhe Ahmeti, pasi në preambulën e kushtetutës së këtij shteti bartës i sovranitetit të këtij shteti është populli maqedonas, kurse shqiptarët janë “pjesë” e popujve që jetojnë në Maqedoni në të njëjtën pozitë kushtetuese me romët, egjiptianët, vllahët, serbët e popujt e tjerë.
2. Gjuha shqipe ende nuk është gjuhë zyrtare në RMV, ashtu siç po pretendon Ahmeti dhe BDI-ja, por mbetet një gjuhë e përkthyer e gjuhës zyrtare, ndërsa për më zi është emërtimi i saj ofendues në kushtetutë, me shifra e përqindje. Pra, janë të kota pretendimet tona se gjuha shqipe është zyrtare kur në përditshmëri, nëse shkoni në Gjykatën e Tetovës, ku gjykatësi është shqiptar, pala e akuzës shqiptare, i akuzuari shqiptar, pala mbrojtëse shqiptare, por seanca zyrtarisht udhëhiqet, zhvillohet dhe procesohet në gjuhën maqedonase me prezencë të përkthyesit. Nëse shkoni në Çashkë, Idrizovë, Veles dhe në shumë vendbanime të tjera, nxënësit shqiptarë ende nuk kanë mundësi ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe. Nëse edhe pas kësaj mendojmë se gjuha shqipe është zyrtare, atëherë kemi gabim në kuptimin e asaj se çka paraqet nocioni gjuhë zyrtare. (nëse dikush dëshiron ta kuptojë këtë le ta shohë Ligjin për gjuhën maqedonase dhe e kupton se çfarë është gjuha zyrtare.)
3. Kur jemi tek çështja e barazisë, arritja e BDI-së mund të përkthehet kështu:
• Shteti dhe qeveria e investojnë dyfishin e vlerës për nxënësit maqedonas në raport me nxënësit shqiptarë.
• Ka “Ligj për branitellat”, por jo edhe për pjesëtarët e UÇK-së.
• Të rinjtë shqiptarë për dëmtimin e dy dritareve gjatë protestës për rastin “Monstra” dënohen me nga 3 e më tepër vjet burg efektiv, kurse sulmuesit, dëmtuesit dhe shkatërruesit maqedonas të kuvendit dhe të institucioneve tjera shtetërore mbeten të lira.
• Duke qenë në pushtet dhe duke udhëhequr me dhjetëra institucione kredibile dhe mbrojtëse të rendit, ndodh djegia e pronave të shqiptarëve në Gjorçe Petrov të Shkupit, ndodh shpërngulja e dhunshme e familjes shqiptare në Radishan të Shkupit, ndodh “Monstra”, “Alfa”, “Lagja e Trimave”, vrasja e Almirit të vogël dhe lirimi nga burgu i vrasësit maqedonas, si edhe shumë e shumë padrejtësi të tjera në aspektin e sigurisë dhe gjyqësorit për shqiptarët, që mund të përshkruhen si “arritje” e BDI-së në këtë drejtim.
Kur jemi te simbolika e funksioneve shtetërore, duhet marrë përgjigje edhe për disa çështje:
– Çfarë përfituan shqiptarët edhe pse kishin ministrin e Arsimit?!
Nxënës shqiptarë të Çashkës, Idrizovës, Vizbegut, Bllacës e vendbanime të tjera pa shkolla fillore në gjuhën shqipe, shkolla shqipe pa tekste mësimore e me njësi mësimore ku ofendohen shqiptarët, por edhe me arsim të shkatërruar e punësime joprofesionale në arsim.
– Çfarë përfituan shqiptarët që kishin ministër të Ekonomisë?!
Zona të lira ekonomike dhe industriale me investime të shtetit në vendbanimet maqedonase, Prilep, Kavadar, Veles, Shtip etj, duke krijuar kështu mbi 35.000 vende të reja pune e mirëqenie familjare, por jo edhe në vendbanimet shqiptare.
– Çfarë përfituan shqiptarët që ekishin ministrin e Punëve të Jashtme?!
Një konstatim të përgjithshëm ndërkombëtar se “shqiptarët e Maqedonisë në kategorinë e MINORITETIT gëzojnë të drejta më të larta se shumë minoritete në vendet tjera”. Ose, trajtimin dhe vlerësimin e sulmit ndaj sovranitetit territorit të Kosovës me 2 tetor 2023 nga Serbia si “incident”, kur shumica e vendeve europiane e vlerësuan atë si “sulm terrorist të organizuar nga Serbia”.
– Po nga ajo që e kishin ministrinë e Financave, çka përfituan?!
15 vite për ndërtimin e një spitali në Kërçovë, 15 vite për autostradën Kërçovë-Strugë, 22 vjet për ndërtimin e lidhjes Shkup-Bllacë, vendbanime shqiptare pa ujë dhe kanalizim etj.
– Çfarë përfituan shqiptarët nga kryekuvendari shqiptar?!
Amnistinë e kriminelëve; ndryshimin e Kodit Penal, me të cilin u falën kriminelët dhe abuzuesit e pushtetit; heqja e konfiskimit të pasurisë të personave të përfshirë në krim dhe korrupsion etj. Por, nuk pati asgjë për ligjin dhe emërtimin e gjuhës shqipe, asgjë për ligjin për pjesëtarët e UÇK-së…
Prandaj kur shkruan Rama, se si Ahmeti na jepka leksion, mund të pajtohem vetëm për pikën që leksion na jep, por një leksion se shqiptarët nuk kanë nevojë për simbolika të funksioneve, qoftë edhe kryeministri teknik, si dhe pozitave shtetërore, sepse e kemi kuptuar që nuk na nevojiten kukulla për të rrënuar dogmat dhe steriotipat ndëretnike, por na nevojiten rezultate që na e përmirësojnë de facto pozitën tonë shtetformuese si komb.
Nëse kryeministri Rama dhe kushdo tjetër mendojnë ndryshe, ju sfidoj të na e dëshmoni të kundërtën, duke na sjellë qoftë edhe VETËM NJË PRESJE “,” në drejtim të avancimit ose ngritjes së statusit të shqiptarëve në RMV mbi atë që e parasheh Marrëveshja e paqes e fituar me gjak e sakrificë të bijve të kombit, por jo e një personi nga Zajazi, qoftë ai edhe miku i kryeministrit Rama.
Dështimin e veprimit politik nuk mund ta mbuloni me meritat dhe sakrificën e luftës. Manipulimeve të opinionit, përmes mediave të kontrolluara, “analistëve” mercenarë, “intelektualëve” të shtypur, “shoqërisë civile” qeveritare e “miqve ndërkombëtarë” të brendshëm, që dështimin ta shndërrojnë në të arritur, gjithnjë e më shumë po u del boja ose, shprehur me gjuhën e Fishtës, “kot që qesim petulla në ujë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu