Rama: Ja pse Shqipëria çon libra në Preshevë (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Zona e Debatit të Klan Kosovës ka thënë se çuarja e librave të Shqipërisë në Luginën e Preshevës është e një rëndësie të madhe për shqiptarët që jetojnë atje.

Ai ka deklaruar se nga raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë varet edhe pozita e shqiptarëve në atë regjion, duke qartësuar se ky ishte motivi mbi të cilin është bazuar kjo marrëveshje.

“Për të kuptuar se sa e rëndësishme është ajo që ne bëjmë me Serbinë si Shqipëri, shkoni pyesni shqiptarët e Preshevës. Marrëdhënia jonë me Beogradin ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre. Sa i madh është ky ndikim, varet nga sa jemi të zotët. Por unë kam qenë jashtëzakonisht i emocionuar, kur të gjithë liderët e tyre kanë ardhur në Beograd për të më takuar, duke më shprehur nderim të plotë, duke më thënë që pas vizitës time të parë në Beograd gjërat kanë filluar të lëvizin sado pak, apo të marrin frymë më pozitive. Dhe më kanë kërkuar që unë të flas me kryeministrin e Serbisë, për librat. Kjo nuk kishte lidhje me librat e historisë. Por janë libra tanë të rinj, të sistemit të reformuar arsimor. Është progres i madh, nga takimi i parë, kur Aleksandar Vuçiq nuk e paramendonte dot që mund t’i flisja për shqiptarët e Luginës”.

Rama ka thënë se vizitat e tij në Beograd janë komentuar më tepër se c’duhet, ndërsa ka theksuar se ka raporte të mira me liderët e të gjitha partive politike në Kosovë, pa dallim.

“Unë me problemet e brendshme të Shqipërisë përballem cdo ditë. Flitet sikur unë në Beograd shkoj cdo të hënë. Unë atje kam shkuar dy herë. Bëj detyrat e mia dhe fakti që ndoshta këtë punë e bëj më mirë se paraardhësit nuk është faji im. Për sa i përket partive shqiptare në Kosovës, kam marrëdhënie shumë të mira personale me të gjithë në Kosovë. Nuk kam thënë kurrë që më pëlqen njëri, e nuk më pëlqen tjetri. Unë me Albin Kurtin dhe të tjerët kam pasur marrëdhënie të mira qyshkur. Dhe të mos harrojmë reagimet para dy vizitave të mia në Beograd”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu