Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se nuk ka asnjë arsye pse PS-ja dhe LSI-ja të mos vazhdojnë të projektojnë të ardhmen e koalicionit në zgjedhjet e vitit 2017.
Në një intervistë për “Tv Klan”, kreu i Qeverisë u shpreh se nëse Ilir Meta nuk do të “martohet” me të djathtën në zgjedhjet e ardhshme, ai mund të qëndrojë në koalicionin natyral të së majtës. Rama e sheh vendimin e pezullimit për ligjin e vetingut nga Gjykata Kushtetuese si shprehje e rezistencës nga një aleancë që i druhet Reformës në Drejtësi, ku ai rreshton dhe opozitën. Kreu i Qeverisë shprehet i sigurt se vetingu do të kryhet pavarësisht vonesave që po krijon kjo aleancë dhe se atij nuk do të mund t’i shmanget askush.
Z. Kryeministër, desha ta nisja këtë intervistë me një pyetje që besoj në këto tre vjet është pyetja që ju është bërë më shpesh, ajo për fatin e koalicionit. Do të keni një përgjigje konkrete brenda këtij muaji nëse do të ketë një zgjatim të marrëveshjes së 1 prillit apo jo? Keni pasur disa takime me kryeparlamentarin.
Është e vërtetë që ndoshta është pyetja që më është bërë më shpesh në këta tre vjet, por është edhe përgjigjja më e thjeshtë prej 3 vjetësh që koalicioni nuk ka asnjë arsye që të mos projektohet në të ardhmen.
Z. Meta ka deklaruar se do të pyesë strukturat e partisë për fatin e koalicionit. Ju do të merrni një vendim personal, apo do të pyesni edhe ju strukturat e partisë?
Në këtë rast Partia Socialiste e ka marrë vendimin kohë më parë që është e gatshme të bashkëqeverisë me të gjitha forcat që duan të punojnë së bashku në rrugën e vështirë të rilindjes së Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë PS-ja e ka konsideruar dhe e konsideron LSI-në si një partner natyral.
Pra, fati do të varet vetëm nëse do apo jo Ilir Meta të vazhdojë koalicionin me ju, z. Rama?
Nëse ju doni ta impostoni në këtë mënyrë, edhe kështu mund të impostohet. Pra, nëse LSI-ja nuk do të “rimartohet” djathtas, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë majtas, aty ku është pozicioni natyral i të dyja partive. Pas mbarimit të fushatës në LSI, ku unë besoj që nuk duhet të presim surpriza, se në fund të fundit zgjedhje janë, me siguri që do të ulemi për të konkretizuar projektin e së ardhmes.
A ndiheni ndopak xheloz që z. Meta po bën zgjedhje në parti dhe ka dy kundërshtarë përballë, ndërsa ju u rizgjodhët me një referendum si kryetar i partisë?
Jo, unë u rizgjodha në 2013 dhe referendumi thjesht dhe vetëm konfirmoi metodën, por kjo është temë e ezauruar për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt. Jo, nuk ndihem aspak xheloz, sepse bëhet fjalë për një realitet krejt tjetër.
Z. Rama, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë ligjin kyç të Reformës në Drejtësi, ligjin e vetingut, ligjin për të cilin ju vutë vija të kuqe që, pavarësisht se më pas mori ngjyrime të tjera, këto vija u bënë portokalli kur Ilir Meta u fut dhe negocioi mes jush dhe Partisë Demokratike për të arritur konsensusin për Reformën në Drejtësi. A mendoni se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të rrëzojë të gjithë Reformën në Drejtësi?
Tani meqë e nisët me ngjyrat, më lejoni që të paktën për ngjyrat unë të jem personi i autorizuar në këtë bashkëbisedim. Vijat e kuqe qëndruan të kuqe deri në fund. As nuk diskutohet që vetingu është themeli i këtij procesi dhe pigmenti i vijave të kuqe, pa të cilin ky proces reformimi rrënjësor do të ishte thjesht dhe vetëm i pamundur. Nuk është sekret që PD-ja po bën përpjekje të gjithanshme për ta penguar Reformën në Drejtësi qysh në ditët e para. U detyrua ta votojë Kushtetutën e re në pjesën që kishte të bënte me reformën për arsyet që dihen, nuk ishin hiri po pahiri i atij momenti, ka vazhduar përpjekjet diku duke hedhur gurin vetë, diku duke hedhur gurin e duke fshehur dorën që reforma të zvarritet. Gjykata Kushtetuese mori një vendim, i cili është për mua shprehje e rezistencës që i bëhet reformës, por ajo që mund t’ju them unë është që vetingu në Shqipëri do të bëhet, duan apo s’duan ata që nuk e duan reformën, apo ata që përpiqen ta pengojnë reformën, apo ata që kanë iluzionin se mund të marrin zvarrë Shqipërinë dhe popullin shqiptar ashtu siç e kanë marrë për 25 vite, kur drejtësinë e kanë kthyer në një mall që shitet e blihet.
Nuk e di nëse e kuptova mirë, z. Rama, po thoni që PD ka ndikuar në vendimin e gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese?
Po them që PD-ja e ka iniciuar këtë proces duke e çuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk e kam harruar dhe s’e ka harruar askush që PD-ja është në aleancë të hapur me të gjithë pjesën e drejtësisë që nuk e do Reformën në Drejtësi.
Z. Rama, Presidenti i Republikës ka kthyer në Parlament ligjin për importin e mbetjeve, a po e rimendon maxhoranca për ta riparë ligjin, apo për ta rrëzuar krejtësisht ligjin?
E vërteta është që nuk ka ligj të papërmirësueshëm dhe pavarësisht se në thelb ligji është absolutisht konform direktivës europiane, ne kemi parapëlqyer që përsëri të dëgjojmë ata të cilët e kundërshtojnë këtë ligj, duke iu ofruar një proces shumë të hapur bashkëbisedimi, e ndërkohë kemi menduar edhe për disa masa shtesë, që nga njëra anë do të blindojnë ligjin në funksion të qëllimeve fisnike për të cilat është bërë dhe nga ana tjetër me siguri do të ndihmojë të largohet dhe ajo pjesë e mjegullës që ka mbetur ende e pashpërndarë lidhur me këtë ligj.
Duket sikur janë shumë të vendosur shoqatat ambientaliste që nuk pranojnë amendim të ligjit, të paktën kështu kanë thënë pas takimit me kryetarin e opozitës, z. Basha.
Vendosmëria kundër ligjeve e grupeve të ndryshme apo edhe e partive të ndryshme është një fitore e demokracisë, ndërkohë që detyrimi për t’i bërë ligjet dhe për të udhëhequr vendin është i atyre që kanë votat e popullit për ta bërë këtë gjë.
Domethënë, do të kalojë ligji vetëm me disa amendime?
Domethënë që ne do të bëjmë maksimumin që sa më shumë nga ata që e kundërshtojnë ligjin për arsye se janë të paqartë për të ose për arsye që duan të kenë më shumë garanci, të kenë sqarime maksimale ose garancitë maksimale.
Meqë jemi te dekreti i Presidentit, Presidenti i Republikës ka dekoruar disa persona, të cilët zv/ministri i Mbrojtjes i cilëson si ballistë, a keni një koment për këtë debat të ri që ka lindur mes maxhorancës dhe Presidentit të Republikës, që duhet thënë nuk kanë qenë të pakta në këto tre vite.
Nuk më pëlqejnë fare vizitat mbrapsht në histori për qëllime politike. Balli Kombëtar është një organizatë e parehabilitueshme, bashkëpunëtore e pushtuesit. Së dyti, në gjirin e Ballit Kombëtar ka pasur pa dyshim njerëz idealistë, patriotë, të cilët janë rreshtuar në anën tjetër të barrikadës me qëllime shumë të larta. Këta të dytët nuk e përmirësojnë asnjë milimetër figurën e të parës, domethënë, të organizatës që bashkëpunoi me fashistët e pastaj me nazistët kundër interesave të atdheut.
Ia njihni meritën qeverisë suaj, z. Rama, për lulëzimin e kanabisit?
Kemi mosdakordësi në koncept, sepse kanabisi po luftohet dhe nuk po lulëzon. Jemi në kulmin e një lufte që duhej të kishte nisur shumë kohë më parë dhe këtu kam parasysh kohën kur kanabisi mbillej kudo dhe mbetej vetëm në komunikatat sekrete të Policisë së Shtetit dhe kishte qendrën e republikës së vet në Lazaratin e mbrojtur nga paraardhësi im. Ju siguroj që lufta jonë me kanabisin nuk do të zgjasë 30 vjet dhe ne do ta fitojmë këtë luftë.
A mund të fitohet kjo luftë duke përfshirë edhe Ushtrinë, siç propozon dhe ministri juaj i Drejtësisë, z. Manjani?
Policia ka bërë detyrën me aq sukses sa është duartrokitur nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha nga ata të cilët e dinë mirë se ç’është lufta kundër drogës.
Po duket sikur nuk mjafton sepse po shohim përditë në mediat italiane tonelata kanabisi që kalojnë nga Adriatiku?
Më vjen shumë mirë që po i shikoni përditë rezultatet e luftës që i bëhet këtij fenomeni, sepse doni apo nuk doni ta pranoni ju, kapjet që bën Policia italiane janë rezultat i bashkëpunimit me Policinë shqiptare dhe është vërtet për të ardhur keq që këtë Policia italiane e deklaron, ndërkohë opozita shqiptare dhe për fat të keq disa media, jo vetëm nuk e marrin në konsideratë, por përkundrazi e kundërshtojnë.
Rezervat nuk vijnë vetëm nga mediat dhe opozita, vijnë edhe nga aleati, nga LSI-ja, siç e thamë ministri Manjani kërkon përfshirjen e Ushtrisë, kaq e madhe i duket kjo betejë që s’mund të fitohet pa ndërhyrjen e të gjitha forcave.
Më lejoni t’ju them që ministri ka bërë thjesht një propozim, kaq, i cili ka lirinë e vet për të bërë propozime të caktuara. Ju siguroj që e gjithë kjo zhurmë dhe gjithë kjo telendi që bëhet për këtë çështje jo vetëm nuk e ndihmon luftën kundër kanabisit, por cenon seriozisht imazhin e Shqipërisë.