Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka kërkuar votën e shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se ky moment është vendimtar për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Kretë, Greqi, Rama deklaroi se ky është një moment historik për Shqipërinë dhe se shqiptarët duhet të bashkohen për të mos e humbur këtë mundësi.
“Sot ka rënë në rrugën tonë rrezja e yllit të fatit europian. Është për ne një detyrim i madh që këtë rreze të mos e lëmë të shuhet, por të bëhemi bashkë më 11 maj për të realizuar objektivin e madh të integrimit të Shqipërisë në BE,” u shpreh Rama.
Ai theksoi rëndësinë e votës së diasporës dhe tha se 246 mijë shqiptarë nga Europa dhe bota janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. “Vetëm në Greqi janë regjistruar 65 mijë votues shqiptarë,” shtoi ai.
Duke folur për shqiptarët që emigruan vite më parë drejt Greqisë, Rama vlerësoi sakrificat dhe përpjekjet e tyre për t’u integruar dhe për të përfaqësuar me dinjitet komunitetin shqiptar.
“Ata që dikur kaluan kufirin në kushte të vështira sot janë pjesë e një komuniteti krenar që ka arritur të fitojë respekt dhe të kontribuojë në vendet ku jeton,” tha ai.
Rama u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që të marrin pjesë në votime më 11 maj, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.