Një ditë para takimit mes Merkelit dhe Ramës në Gjermani dhe pas deklaratës së deputetit të CDU-së në Shqipëri, presidenti gjerman ka kërkuar që të pezullohet procesi i anëtarësimeve në BE.
Presidenti gjerman, Joachim Gauck, në një intervistë të dhënë për gazetën “Welt am Sonntag”, ka thënë se BE-ja duhet ta ngadalësojë hapin e zgjerimit në vende të tjera.
“Mendoj se BE-ja duhet të ndalet dhe të mos zgjerohet momentalisht. Duhet të diskutojmë për mënyrën e zgjerimit dhe a kemi krijuar ne një përkatësi europiane?
Mendoj se 508 milionë qytetarët europiane nuk ndihen të gjithë të tillë”, tha ai.
Presidenti gjerman theksoi se Europa ka nevojë për ngritjen e një identiteti kulturor të ngjashëm me ato kombëtare, kur ishte e ndarë.
“Krahas paqes, sigurisë dhe promovimit të demokracisë, është e rëndësishme që të kultivohet edhe një identitet i përbashkët europian mes vendeve të Unionit”, tha ai.
Zyra e shtypit e kancelares gjermane Angela Merkel, konfirmon se takimi i kancelares me kryeministrin Edi Rama do të mbahet sot në orën 14:00 në Kancelarinë Federale.
Fokusi i bisedimeve do të jetë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, marrëdhëniet dy palëshe dhe çëshjet e rajonit.