Ish- kryeministri Sali Berisha shkruan sërish për “çështjen” Tahiri”.
Sipas ish- kreut të ekzekutivit, kreu i qeverisë Edi Rama po ushtron terror ndaj fëmijëve të prokurorëve për të mos arrestuar ish- ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Rama ushtron terror psikologjik me fallangat e tij të krimit ndaj fëmijëve në shkollë të prokurorëve të Saimir Trafikut!”, shkruan ai.
Përmes një mesazhi të publikuar nga Berisha thuhet se në shkollat e fëmijëve të prokurorëve janë dërguar inspektorë të vettingut që i pyesin se kush dhe ku i kanë blerë rrobat e trupit
“Ai dërgon, në kundërshtim flagrant me ligjin, kriminelët e tij nga vetingu në shkollë për kontrollin e etiketave të rrobave të trupit të vogëlushëve me pyetjet se ku dhe kush t’i ka blerë? Ky është një akt i shëmtuar që tregon edhe njëherë se Rama është skllav i Tahirit kurse vetingu është një procedurë presioni kriminal në duart e Ramës për nënshtrimin e plotë të sistemit gjyqësor në Shqipëri”, shprehet Berisha.
Mesazhi
“Përshëndetje Doktor. Një informacion: Prokurori i Tahirit Edi Rama i çoi njerëzit e vetingut tek femija në shkollë 10 vjeç duke e marrë në pyetje, kush ti ka blerë rrobat, ku ti ka blerë, ku ke qënë me pushime etj. Veprimi i njerzve të Edi Ramës në vetting është jo vetëm në kundështim flagrant me ligjin, pasi femija 10 vjeç edhe kur kryen krim pyetet në prani të prindit dhe psikologut.
Por mbi të gjitha është përdorim i pastër, abuziv i pushtetit për të ndikuar në hetimet ndaj Tahirit. Kjo ngjarje ka ndodhur para 3-4 javëve para se Tahiri të dorëzonte mandatin. Për këtë duhet hetim dhe personat që kanë abuzuar duhet të shkojnë para drejtësisë”.