Rasti “Kumanova”, kërkohen dëshmi nga shumë zyrtarë të shtetit dhe nga lideri i BDI-së (VIDEO)

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, shefi i kabinetit të Ahmetit, Artan Grubi, kryetari i Komunës së Likovës Sadulla Duraku, ish zv.ministri i Brendshëm Zemri Qamili si dhe shumë funksionarë të tjerë të BDI-së janë propozuar nga pala mbrojtëse për të dëshmuar në procesin gjyqësor për rastin e Kumanovës dhe të Sulejman Osmanit. Avokati Naser Raufi gjatë seancës së sotme ndaj të akuzuarit Sulejman Osmani lidhur me ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar në Lagjen e Trimave, theksoi se dëshmia e këtyre personave është e rëndësishme pasi kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e Kumanovës.

“Këta janë dëshmitarë që dinë për rastin mund të themi se edhe kanë qenë të involvuar në rastin, janë dëshmitarë që kanë qenë në poste të ndryshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ish drejtori i shërbimet sekret, dëshmitarë që kanë pas do funksione, kryetar partiak dhe shumë dëshmitarë që kur do vijë radha e palës mbrojtëse do ti propozojmë”, deklaroi avokati Naser Raufi.

Përveç emrave të lartpërmendur Raufi kërkoi që të dëshmojnë edhe persona të tjerë të cilët sipas tij kanë pasur njohuri për këtë rast që nga janari i vitit 2015 .

Dëshmitarët e palës mbrojtëse:

Musa Xhaferi- ish zv.kryeministër

Arif Asani- zv.drejtor i DSK-së

Shenasi Mehmeti- Agjent i Agjencisë së Inteligjencës

Nimetulla Abdullahu- DSK

Sasho Mijallkov- ish drejtor i DSK-së

Mitko Çavkov- ish ministër i Brendshëm

Stojanço Angellov- Kryetar i “Dinjiteti”

Hysni Shaqiri- ish politikan

Ejup Alimi- sekretar shtetëror në SIOFA..

I akuzuari për terrorizëm Sulejman Osmani gjatë seancës së sotme theksoi se pjesëtarët e grupit të Kumanovës Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj e kishin njoftuar se 2 nga personat e propozuar si dëshmitarë kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar në Lagjen e Trimave. Por Osmani nuk precizoi se për kë bëhet fjalë konkretisht. Osmani nga ana tjetër kërkoi që si dëshmitarë të thirren pjesëtarët e njësive speciale që e kishin shoqëruar atë ti tregojë armët e fshehura prej ku më pas ishin arratisur. Nga BDI thanë se nuk mund të komentojnë rastin për aq kohë sa nuk kanë informacione zyrtare./Alsat-m


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu