Qeveria greke nuk ka për qëllim ta ndryshojë politikën e jashtme edhe përkundër protestave të mbajtura gjatë ditës së djeshme në Athinë. Politika e jashtme nuk udhëhiqet me tubime dhe plani qeveritar mbetet në fuqi, deklaroi përfaqësuesi i Qeverisë së Ciprasit, menjëherë pas tubimit të djeshëm në Athinë. Partneri i koalicionit në Qeverinë greke dhe ministër i Mbrojtjes, Panos Kamenos, i cili prej momentit të parë e mbështeti protestën, në profiling e tij në Tuiter shkroi se “tubimi ka qenë shpirti i grekëve”.
Por shefi i diplomacisë greke Nikos Kocijas për dallim nga Kamenos në Tuiter shkroi se “Vazhdoj, me vetëdije të qetë dhe përgjegjësi, të negocioj për të mirën e atdheut”. Nga Demokracia e Re opozitare, ndërkaq, thonë se qindra mijëra qytetarë e shprehën krenarinë nacionale pa i dhënë protestës ngjyra partiake, e shprehën edhe shqetësimin e tyre, por edhe mosbesimin e tyre ndaj qeverisë greke. “Është e dukshme se grekët nuk kanë besim tek zotërinjtë Cipras, Kamenos dhe Koxias, të negociojnë për çfarëdo qoftë. Aq më pak për një çështje të rëndësishme nacionale”, tha kryetari i Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis./InfoShqip.com