Rëndësia e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Shkruan: Donika Bakiu

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e cila shënohet çdo 21 shkurt, është një ngjarje me rëndësi të madhe për ruajtjen dhe promovimin e gjuhëve që janë të folura nga popujt në mbarë botën. Në vitin 1999, UNESCO vendosi të caktojë 21 shkurtin si Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Kjo ditë është një kujtesë se rreth 7000 gjuhët që fliten në planetin tonë duhet të mbrohen. Çdo gjuhë pasqyron një pamje të veçantë të botës. UNESCO ka marrë kauzën e promovimit të gjuhëve si simbol i identitetit kulturor të folësve. Nga ana tjetër, ajo merret gjithashtu me mësimin e gjuhëve të huaja dhe shumëgjuhësinë si një çelës për mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë.Dita e Gjuhës Amtare synon gjithashtu të promovojë shumëgjuhësinë.

Gjuhët janë jo vetëm mjet komunikimi, por edhe pasuri kulturore e identitare e çdo populli. Ato pasqyrojnë botëkuptimin, historinë dhe traditat e një komuniteti të caktuar. Në këtë kuadër, gjuha shqipe ka një rëndësi të veçantë si një nga gjuhët më të vjetra të familjes indoevropiane. Ajo ka pasur një zhvillim të gjatë dhe të pasur, duke mbajtur lidhje të ngushta me kulturën dhe historinë e popullit shqiptar.

Përpjekjet për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe kanë qenë dhe mbeten të vazhdueshme. Shumë shkencëtarë dhe specialistë të fushës së gjuhës shqipe kanë punuar për të dokumentuar dhe rritur përdorimin e saj, jo vetëm në nivelin kombëtar, por edhe në arenën ndërkombëtare. Përdorimi i gjuhës shqipe, si dhe zhvillimi i saj në fusha të ndryshme të jetës akademike, politike dhe kulturore, ka ndihmuar në forcimin e pozitës së saj.

Megjithatë, mbrojtja dhe promovimi i gjuhës amtare kërkon angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë, që nga institucionet shtetërore deri tek individët. Një ndër detyrat kryesore është sigurimi i kushteve për mësimin e gjuhës shqipe në shkolla dhe universitete, si dhe përdorimi i saj në administratën publike dhe në media. Gjithashtu, përfshirja e gjuhës shqipe në botimet shkencore dhe kulturore ka një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e saj.

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi rëndësinë e gjuhës shqipe dhe për t’u angazhuar për ruajtjen e saj për brezat që vijnë. Çdo individ e ka për detyrë të bëj çmos për mbrojtjen dhe zbatimin e drejtë të normave dhe rregullave gjuhësore. Nga ana tjetër, kur gjuhët shuhen, diversiteti kulturor i cili përbën pasurinë e njerëzimit, gjithashtu zbehet. Është është një thirrje për të gjithë shqiptarët dhe shoqërinë ndërkombëtare për të kontribuar në mbrojtjen dhe zhvillimin e pasurisë së gjuhës dhe kulturës sonë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu