Retrospektiva e 2017/ Rrahja në Kuvend, formimi i Qeverisë, rasti Monstra, Kumanova…

Viti 2017 do të mbahet mend si vit i turbulencave dhe ndryshimeve në skenën politike në Maqedoni, por me shumë tema të lëna hapur edhe pas 365 ditëve zhvillime intensive politike.
Nga protestat e deri te dhuna në institucione, rigrupime politike dhe zgjedhje pa zgjidhje të shumë problemeve që Maqedoninë do ta shoqërojnë edhe për vitin e ardhshëm.

Në këtë vit u zgjodh edhe Qeveria e re, por ajo deri në ditën e fundit nuk arriti të kompletohet dhe ndërrimi i moteve e gjen me shumë vende të zbrazëta. Viti i ri filloi me procesin e negocimit mes partive për formimin e qeverisë së re.

Që në ditët e para të janarit Presidenti Gjorge Ivanov ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ish kryeministrit Nikolla Gruevskit, tanimë ish kryetar i partisë politike VMRO-DPMNE. Bisedimet e kësaj partie me partnerin vjeçar, BDI-në dështuan pas 20 ditëve negociata dhe më 29 janar Gruevski humbi mundësinë për të formuar Qeverinë. Por përfundimi i afatit për Gruevskin nuk i hapi lehtë rrugën kryeministrit aktual Zoran Zaev.

Ky i fundit zhvillonte bisedime me partitë shqiptare por pa autorizimin që duhej ligjërisht ti jepte kreu i shtetit. Më 25 shkurt kryesia qendrore e LSDM-së në mënyrë unanime e zgjodhi kryetarin e kësaj partie, Zoran Zaev, si mandatar për formimin e Qeverisë së ardhshme të Maqedonisë.

Bashkë me konstatimin si mandatar, Zaev mori edhe autorizimin e kryesisë për të hyrë në bisedime për programin qeveritare dhe kabinetin e ri qeveritarë. Zaev kërkoi nënshkrimet e deputetëve të partive shqiptare me të cilët krijonte shumicën e nevojshme prej 61 deputetëve për të dëshmuar se ka shumicë në Kuvend. Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët i kishin ofruar nënshkrimet e tyre për mandatarin Zoran Zaev me qëllim që ai të mer mandatin nga presidenti dhe më pas të vijojnë bisedimet për formimin e Qeverisë së re. BDI kushtëzoi dhënien e nënshkrimeve duke kërkuar nga kreu i LSDM-së që të pranojë deklaratën e përbashkët të partive shqiptare si kusht për t’i dhënë nënshkrimet e deputetëve.

Pas shumë ditëve bisedime BDI deponoi nënshkrimet pa qartësuar saktësisht se çfarë kishte pranuar Zaev nga deklarata e partive shqiptare. Por ky kusht i krijoi presidentit Gjorgji Ivanov një alibi për ti thënë jo dhënies së mandatit për kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev. Ivanov kërkoi që Zaev të garantonte me shkrim se nuk pranon deklaratën e partive shqiptare të cilën e quajti “Platforma e Tiranës”.

Kjo deklaratë e presidentit Ivanov shkaktoi reagime të mëdha të qendrave diplomatike, si SHBA-ve, BE-së, por edhe të Rusisë që i dilte në mbrojtje. Më 4 mars të këtij viti BDI vendosi përfundimisht që edhe të jetë pjesë e koalicionit qeveritar që do të përbëhej nga LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.

Pas kësaj marrëveshje për gati dy muaj të plota Kuvendi nuk arriti të zgjedh as kryetarin dhe as organet e tjera të institucionit më të lartë ligjvënës. Pas një takimi LSDM dhe VMRO-DPMNE u dakorduan për formimin e komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime, por gjatë debatit në seancë plenare për diskutim u paraqitën 51 deputet të VMRO-DPMNE-së dhe ndaj secilit paraqiteshin nga 50 replika dhe po aq kundër replika. E gjithë kjo bëhej për të zvarritur procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit. Diskutimet e këtilla maratonikë zgjatën me javë të tëra, ndërsa nga LSDM filluan të japin sinjalet e para se do të kërkojnë që pika e parë e rendit të ditës, ajo për formimin e komisionit të anashkalohet dhe të kalojnë në pikën e dytë, zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarit të Kuvendit. Para se të ndodhte kjo para Kuvendit dhe rrugëve të kryeqytetit mbështetës të Qeverisë së kaluar mbanin protesta nën siglën e një organizate jo formale “Për Maqedoni të përbashkët”. Kryefjala e diskutimeve në Kuvend dhe protestuesve jashtë Kuvendit ishte e ashtuquajtura “Platforma e Tiranës”.

Më 27 prill shumica e re parlamentare që në mëngjes kërkoi kalimin në pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Kjo u kundërshtua nga kryesuesi i atëhershëm i Kuvendit, Trajko Veljanovski dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së. Por në orët e pasdites, pas ndërprerjes së debatit rreth komisionit, deputetë të LSDM-së nga ulëset e tyre filluan procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe që në atë moment filloi të tensionohet situata. Deputetët e VMRO-DPMNE-së me brohoritje të ndryshme tentonte të pengojë dhe mbulojë procesin e zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, por pas kryerjes së procedurave shumica e re zgjodhi Talat Xhaferin kryetar të Kuvendit. Nga ky moment situata do të shpërthente edhe jashtë Kuvendit ku ishin tubuar mbështetës të Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij.

Protesta esklaoi, ndërsa turma e dhunshme hyri në Kuvend dhe uzurpoi hapësirat e këtij institucioni. Një grup huliganësh në mesin e të cilëve edhe persona të maskuar futen në pres qendrën e Kuvendit ku do të ndodhte edhe incidenti më i rëndë në historinë institucionale të Maqedonisë. Grupi i cili hyri në sallë sulmoi fizikisht kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe deputetët e kësaj partie, si dhe kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela i cili pësoi më së shumti nga gjithë kjo ngjarje. Për orë të tëra zgjati golgota e deputetëve deri në ndërhyrjen e njësiteve speciale të policisë, ndërsa për aq kohë Ziadin Sela ishte shpallur i vdekur. Pas ndërhyrjes së policisë me auto ambulantë nga Kuvendi u nxor edhe Sela i cili më pas u shtrua për kurim në spital ku u konstatuan lëndime të rënda. Të përgjakur nga Kuvendi dolën edhe kryeministri Zaev dhe deputetë të tjerë të partisë së tij. Ky rast do të ndryshonte krejtësisht situatën politike.

Diplomat botëror reaguan dhe dënuan dhunën në Kuvend, ndërsa kërkuan zgjidhje urrgjente të krizës politike, si dhe nxjerrje para drejtësisë të personave që shkaktuan dhunën në Kuvend. Më 1 maj në Shkup erdhi zëvendës-ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Hojt Brajan Ji i cili dërgoi mesazhe të prera për formim sa më të shpejtë të Qeverisë, nga ana e shumicës së re parlamentare. Më 9 maj kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi mori edhe zyrtarisht detyrën pas shpalljes së vendimit në Gazetën zyrtare.

Ndërkohë mandatari Zoran Zaev përpiloi garancinë që kishte kërkuar presidenti Gjorgji Ivanov se nuk do të lejojë platforma të imponuara nga vendet e tjera dhe do të sigurojë Kushtetutën e vendit. Më 17 maj presidenti Gjorge Ivanov ia ndau mandatin kreut të LSDM-së Zoran Zaev, me arsyetimin se janë eliminuar pengesat për dhënien e mandatit dhe se Zaev ka dorëzuar garanci për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit. Zaev pas kësaj brenda 10 ditëve zhvilloi bisedime me partitë shqiptare për formimin e Qeverisë së re. Bisedimet me Lëvizjen Besa dështuan dhe kjo parti ngeli në opozitë, ndërsa koalicioni Qeveritar u formua me BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët. Më 31 maj pak para mesnate Kuvendi votoi kabinetin e ri qeveritar të drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev, ndërsa detyrën zyrtarisht e mori më 1 Qershor.

Nga deklarata e përbashkët e partive shqiptare në procedurë hyri vetëm propozim ligji për përdorimin e gjuhëve me të cilin synohet avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Por ky proces u zvarrit poashtu deri në përfundimin e këtij viti. Fillimisht ligji u dërgua për shqyrtim në Komisionin e Venedikut, ndërsa në Kuvend hyri me vonesë. Tani ligji është në fazën finale dhe pritet të miratohet në fillim të vitit të ardhshëm.

Gjatë vitit 2017, shkruan SHENJA, filloi edhe procesi i përmirësimit të marrëdhënieve me vendet fqinjë. Më 14 korrik Maqedonia dhe Bullgaria u dakorduar për tekstin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë qëllimi së cilit është që të zgjidhen konteste dhe tensionet shumëvjeçare mes dy vendeve. Marrëveshja u nënshkrua më 2 në ceremoninë e përbashkët të Ilindenit nga kryeministrat e dy vendeve, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov. Qeveria e re riaktivizoi edhe bisedimet me Greqinë me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Metju Nimic.

Në tetor të vitit 2017 u mbajtën zgjedhjet lokale në të cilën ndryshoi harta politike e Maqedonisë. LSDM fitoi numrin më të madh të komunave të dominuara me maqedonas si dhe komunën e Haraçinës, të vetmen komunë të dominuar me shqiptar. Në komunat e tjera BDI fitoi 10 komuna, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe një komunë fitoi Lëvizja BESA. Gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve lokale BDI ishte në koalicion me LSDM-në e cila i dha mbështetje që në rreth të parë, ndërsa në mbështetje të kandidatëve të BDI-së në rrethin e dytë dolën edhe figura kontraverze për shqiptarët siç ishte edhe ish ministri Lube Boshkovski i cili zbarkoi edhe në Tetovë në mbështetje të kandidates së BDI-së, Teuta Arifi. Zgjedhjet lokale jo vetëm që nuk zgjidhën por thelluan edhe më tej krizën institucionale. Gjatë këtyre zgjedhjeve u acaruan marrëdhëniet mes BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët e cila për garën e komunave në rrethin e dytë lidhi koalicion me Lëvizjen Besa.

Pas zgjedhjes së ish ministrit Arben Taravari për kryetar në Komunën e Gostivarit, BDI kundërshtoi zgjedhjen e një funksionari tjetër nga Aleanca për Shqiptarët në këtë post. Më pas LSDM kërkoi që të drejtoj këtë digaster dhe pas një muaj e gjysëm tentim për arritje të marrëveshjes zgjodhi ministrin e shëndetësisë pa dakordim me Aleancën. Kreu i kësaj të fundit, Ziadin Sela vendosi të braktisë koalicionin qeverisës dhe akuzoi kryeministrin Zoran Zaev për shkelje të marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Disa ditë para përfundimit të këtij viti, të gjithë funksionarët e Aleancës për Shqiptarët, tre zëvendës ministra, një sekretar shtetëror dhe shumë drejtor dhanë dorëheqje. Shumicës së re parlamentare ju bashkëngjitën dy deputet të partisë GROM dhe deputeti Hamdi Bajram që braktisën koalicionin me VMRO-në.

Në vitin e ri i cili pritet të jetë vendimtar si për procesin reformues ashtu edhe për procesin integrues të vendit, Maqedonia hyn me një qeve të pakompletuar, me shumë vende të zbrazëta në institucione dhe në raporte të acaruara me partitë shqiptare opozitare, Lëvizjen BESA dhe Aleancën për Shqiptarët.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu