Pas një shkrimi të publikuar nga Akademiku Rexhep Qosja, ku ai shpalosi idenë e tij për zgjidhjen e problemit Kosovë-Sërbi, dhe si zgjidhje ofroi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Sërbisë, respektivisht territoret e veriut të Kosovës të banuar me serbë me ato të Luginës së Preshevës të banuar me shqiptarë, por ky propozim ngjalli rreagime të shumta dhe Akademik Qosja sot erdhi me një rreagim të dytë, që e quajti “Kritikëve të propozimit tim”, transmeton InfoShqip.com
Më poshtë do e ndiqni të plotë rreagimin e z.Qosja.
Kam këtë përgjigje për ju që po e kritikoni aq emocionalisht propozimin tim të botuar disa herë, edhe para 30 vjetësh, për shkëmbimin e Mitrovicës Veriore të banuar me serbë me Luginën e Preshevës – me Preshevën, Bujanocin, Medvegjën e fshatrat përreth të banuara me shqiptarë.
Me dallim prej meje që do të doja ta shpëtoja Kosovën prej shtetit të quajtur Bashkësi e Komunave Serbe, domethënë prej shteteve të vogla serbe nëpër Kosovë, dhe t’i jepet Serbisë një pjesë e vogël e Kosovës Veriore e banuar me serbë dhe e sunduar edhe tani prej Serbisë, të cilëve do të mund t’u bashkoheshin edhe serbët e viseve të tjera të Kosovës, e t’i jepeshin Kosovës Presheva, Bujanoci e Medvegja me fshatrat përreth të banuara me shqiptarë, ju në realitet do t’ia dhuroni Serbisë të dyja: Mitrovicën Veriore, e cila që tani po bëhet qendër administrative, ekonomike, arsimore e kulturore serbe nën sundimin e Serbisë dhe Luginën e Preshevës, e cila do të shpopullohet prej shqiptarëve e do të popullohet prej serbëve!
E këtillë, mjerisht, është e ardhmja e çështjes ende të pazgjidhur plotësisht shqiptaro-serbe, që na e dhurojnë mendjet që mendojnë vetëm sot për sot dhe që shohin vetëm deri te kthesa e parë: vetëm deri te muri i rrënuar buzë Ibrit dhe vetëm deri te treni i dekoruar i kthyer pas Beograd-Mitrovicë! Dhe të gatshëm – që të na pagëzoni kombi kosovar!
Nuk dua të mendoj që kjo politikë është e frymëzuar më parë prej propagandës së atyre që gëzojnë frytet e tregtisë së zezë të mafisë serbe dhe të mafisë shqiptare në Mitrovicën Veriore sesa të mendjepakësisë e të padijes.
Prishtinë, 22.01.2017 – përfundoi z.Qosja./InfoShqip.com