Si punonjës mediatik për mua gazetaria nuk është vetëm një profesion apo një detyrë që duhet kryer, por të merrem me profesionin e gazetarisë gjithherë e kam cilësuar si një mision që duhet ti kushtohet një kujdes i veçantë. Duke u nisur nga kjo për sa muaj që jam duke ushtruar këtë profesion në një medium maqedonas nuk kam pasur ndonjë barrierë apo të të bëj ndonjë dallim.
Kemi media shqiptare me të punësuar maqedonas dhe media maqedonase me të punësuar shqiptar. Mendoj që tashmë kjo është diçka normale dhe mendoj që jep sinjale pozitive për bashkëjetese mes dy komuniteteve shumicë në Maqedoni.
Duke pasur parasysh moshën që kam nuk kam pasur ndonjë sfidë të madhe që duhet veçuar. Gjuha, identiteti kombëtar dhe identiteti fetar aspak nuk kanë qenë pengesë për bashkëpunim, madje nuk e kam pritur atë bashkëpunim dhe atë komunikim që kemi aktualisht me kolegët maqedonas.
Mendoj që e ardhmja e Maqedonisë tashmë është e qartë, bashkëjetesa, toleranca dhe harmonia mes këtyre dy komuniteteve janë jetike sidomos për vendet e vogla dhe me përbërje etnike te ndryshme.
Mendoj që urrejtja e viteve të fundit që është shfaqur është ushqyer nga politika dhe politikanët. E them shpesh here dhe e përsërisë këtë, pasi viteve të fundit kam ndjekur me shumë vëmendje ngjarjet dhe zhvillimet thuajse në të gjitha sferat. Pra politika i ka fryrë me qëllim kësaj çështje për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga problemet reale dhe për ta paraqitur problemin ndëretnik si problem kryesor në vend./InfoShqip.com
Zekirja Mexhiti, gazetar në Tv Nova