Azdren Llullaku, sulmuesi i përfaqësueses shqiptare është një prej shumë personave të cilët u larguan nga Kosova gjatë luftës në vitin 1999 dhe si shumë të tjerë, përshkroi Adriatikun me gomone.
Të gjithë këtë eksperiencë ai e ka treguar për faqen e internetit të gazetarit të njohur italian, Xhianluka Di Marzio.
“Çdo ditë mendoj për atë udhëtimin me gomone nga Vlora në Bari, ishte viti 1999. Në ato vite, gjithçka organizohej nga mafia shqiptare, isha bashkë me nënën dhe vëllain tim. Niseshin me mijëra. Do të qëndrojë gjithmonë brenda meje fakti se nëse do të isha nisur një natë më para.. nuk do t’ia dilja. Vdiqën të gjithë”, është tregimi rrëqethës i Llullakut.
Gomonia ku ishte Azdreni mbërriti në breg dhe pas mijëra peripecish, ai u stabilizua me familjen në Itali.
“Italia më ka dhënë shumë, sidomos mundësinë që të rritem si person, përveçse si lojtar. Italia më ka dhënë një vend ku të jetoj, ndaj për mua është gjithçka”, është shprehur mesfushori kuqezi.