Fshirja eventuale e 40.000 votuesve të cilët kontestohen nga partitë nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos e që është shumë rrezik të humbin të drejtën e votës, do të ketë pasoja të madha edhe në rrafshin politik për shqiptarët, të cilët rrezikojnë të humbin edhe njërën nga dy komunat të cilat me shumë angazhim të diasporës mezi e fituan, siç është Komuna e Kërçovës.
Në mesin e votuesve fiktiv të cilët këto ditë duhet të paraqiten në KSHZ dhe për të cilët më pas KSHZ përsëri do të vendos nëse do t’ua pranojë paraqitjet, janë të etnitetit shqiptarë. Në krye të listës së qyteteve me më shumë votues të kontestuar ndodhet edhe Kërçova prej ku janë kontestuar 1345 votues. Ndërkohë në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kandidati i vetëm i shqiptarëve, Fatmir Dehari, fitoi me një diferencë prej 2330 votave.
BDI në zgjedhjet lokale të vitit 2013 mori gjithsej 18.552 vota, ndërsa VMRO-DPMNE 16. 222 vota.
Por, për fitoren e Deharit kontribuan mijëra mërgimtarë shqiptarë, të cilët në mënyrë të organizuar me autobusë dhe me aeroplan të linjave speciale, kishin ardhur nga vendet më të largëta të botës për të zgjedhur në krye të komunës për herë të parë një kryetarë shqiptarë. Nga ana tjetër paraqitja e votuesve të kontestuar në KSHZ shkon me një ritëm shumë të ngadalshëm dhe deri tani në nivel shtetërorë nuk janë paraqitur ende as dhjetë përqindëshi votuesve.
Nëse paraqitja e tyre vazhdon me këtë rritëm dhe nëse votuesit nga Kërçova fshihen nga lista e votimit, atëherë në zgjedhjet e ardhshme lokale diferenca maksimale për fitoren e kandidatit shqiptar do të jetë më pak se një mijë votues. Por me këtë diferencë shqiptarët do të mund të fitojnë vetëm nëse përsëritet fluksi i njëjtë si ai i vitit 2013, ndërsa në rast të uljes së interesimit shqiptarët seriozisht rrezikojnë të humbin Kërçovën në zgjedhjet e vitit 2017./Shenja