Lumenjtë në Bosnjën dhe Hercegovinën veriore filluan të vërshojnë nga brigjet e tyre mëngjesin e sotëm dhe në disa vende një numër i madh ndërtesash banimi janë në rrezik, njoftoi shërbimi i mbrojtjes civile.
Situata më e rëndë është në zonën e Laktasit, afër Banja Lukës, ku disa shtëpi janë evakuuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet.
Bëhet e ditur se në Laktas është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe lumenjtë më të vegjël kanë dalë nga shtrati në disa vendbanime në zonën më të gjerë të Banja Lukës, duke përfshirë zonën e biznesit në Ramici, ku uji ka depërtuar në objektet e prodhimit dhe magazinat.
Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur edhe në zonën e komunës Bosanska Gradiska.
Rruga rajonale që çon në Bosanska Dubica është aktualisht e mbyllur.
Për shkak të rrezikut nga përmbytjet, mësimi në të gjitha shkollat e zonës është ndërprerë.
Edhe në komunën e Tesliqit është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për mbrojtjen nga vërshimet.