Kush gënjen e kush e ndërtoi rrugën Stracin-Kriva Pallankë, LSDM dhe VMRO-DPMNE edhe sot vazhduan me përplasje të ndërsjella dhe akuza. Nga partia opozitare thonë se VMRO-DPMNE gënjen dhe mburret me punën e të tjerëve për shkak se, sic thonë, LSDM e ka filluar ndërtimin e kësaj rruge që në 2018 ndërsa në 2023 ka filluar asfaltimi dhe se VMRO-DPMNE atëherë e ka bllokuar projektin. Për rrugën ekspres Stracin-Kriva Pallankë DPMNE vetëm e preu shiritin dhe ndërtoi disa qindra metra dhe asgjë tjetër, thonë nga LSDM.
“DPMNE gënjen për rrugën ekspresë Stracin-Kriva Pallankë sepse LSDM përfundoi mbi 90% ndërsa ata në atë kohë kur ishin opozitë e bllokuan projektin. Asfaltimi i parë i rrugës Stracin-Kriva Pallankë u bë që në 2023. Mburrja me punën e të tjerëve është diçka tjetër, por këto gënjeshtra patologjike të VMRO-DPMNE-së flasin për ta dhe tregon se sa janë të paaftë, andaj duhet të tregojnë shpifje se ata kanë bërë diçka”, thonë nga LSDM-ja.
Reaguan nga VMRO-DPMNE, thonë se LSDM me vite të tëra nuk ka bërë asgjë për ndërtimin e kësaj rruge dhe se qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka ndërtuar për 6 muaj.
“Me vite të tëra LSD nuk mundej ta ndërtonte rrugën, njëjtë edhe rrugën Gradsko-Farish, e as autostradën Kërçovë-Ohër. Brenda 6 muajve qeveria e VMRO-DPMNE-së me punë të përkushtuar në terren i përfundoi punët në rrugë Kriva Pallankë-Stracin dhe e lëshoi në përdorim. Nuk ka më ngecje të projekteve infrastrukturore, punohet me intensitet dhe Maqedonia lidhet me ritëm të shpejtë”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Rruga ekspres Stracin-Kriva Pallankë me gjatësi prej 25,5 km u lëshua në përdorim dje ndërsa vlera e saj totale arrin 94 milionë euro, mjete të siguruara përmes Bankës botërore dhe granteve. Përndryshe, kjo rrugë është pjesë e korridorit 8.