Sa më pak të flasë Ali Ahmeti për referendumin aq më shumë shqiptarë do dalin të votojnë

Nga: Fejzi Hajdari

Shqiptarët do të dalin masovikisht në referendum për hir të NATO-s dhe BE-së, e jo për hir të BDI-së. Aq më pak për hir të Ali Ahmetit. Ali Ahmeti mund të provokojë ndonjë shqiptar të mos dalë në referendum, por të stimulojë dikë, nuk ma mer mendja. Mirëpo, BDI-ja dhe Ali Ahmeti, pëpiqen ta (keq)përdorin këtë disponim të shqiptarëve në favorin e vetë.

Duke përgatitur një fushatë të zhurmshme, ata shpresojnë se do të marrin meritat për jehonën e madhe të shqiptarëve në referendum, e cila mund të supozohet që prej tani.

Shpresojnë që pastaj këtë jehonë ta shesin si dëshmi se shqiptarët po e kthejnë besimin te politikat e BDI-së.
Kam përshtypje se Ahmeti dhe BDI-ja, referendumin e shohin si shpresë të fundit për t’ua shpërlarë trurin shqiptarëve nga fotografitë që i bënin 10 vite rresht me Gruevskin, Mijallkovin, e Jankullovskën. Fotografoheshin e incizoheshin bashkë, pa marrë parasysh se a u ndodhte shqiptarëve ndodhte Enciklopedia, ‘Shkupi 2014’, Kalaja, vrasja e Harun Aliut, vrasja e Komandnat Shqiponja, Monstra, Lagja e Trimave…

Duhet të kesh mendim shum të ulët për shqiptarët, që vetëm të shpresosh, e lëre më të presësh vërtetë se do t’i harrojnë të gjitha “të mirat” që ua ke bë bashkë me VMRO-DPMNE-në.

Kryeministri Zoran Zaev duhet të jetë i kujdesshëm. Në kohën kur flitet se shqiptarët janë “ftohur” edhe nga KF Shkëndija (dhe nuk i shkuan në stadium në numër aq të madh sa pritej) për shkak të paraqitjeve të shpeshta të Ali Ahmetit në ndeshjet e këtij klubi, ka rrezik që me paraqitjet e tij të përbashkëta me Ahmetin, të “ftohë” një numër të shqiptarëve edhe nga referendumi. Ky numër gjithsesi nuk mund të jetë shumë i madh, mirëpo Zaev gjithsesi se duhet të jetë koshient për zërat që me plot të drejtë qarkullojnë në mesin e shqiptarëve, të llojit: “Nuk më duhet NATO me Ali Ahmetin”, ose “Nuk më duhet BE-ja me Bujar Osmanin”. Nuk janë vetëm shaka! Zaev i ka dëgjuar “bombat” dhe e din shumë mirë se cili është shkaku pse shqiptarët reflektojnë në këtë mënyrë, kundrejt partnerit 10 vjeçar të VMRO-DPMNE-së.

Po e përsëris se vullneti i shqiptarëve është absolutisht “pro” referendumit, mirëpo duke pasë parasysh se çdo votë është e rëndësishme, nuk duhet të lejohet që për shkak të “provokimeve” nga BDI, të mos dilet në referendum. Sepse ky ndoshta edhe mund të jetë qëllimi i vërtetë i kësaj partie, e cila pikërisht në këtë periudhë i përmirësoi në mënyrë misterioze raportet me “presidentin jolegjitim” Gjorge Ivanov.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu