Sa “teknik” ishin zv/ministrat dhe ministrat e BDI-së në Qeverinë teknike?

Nga Marrëveshja e Përzhinos doli ideja për formimin e një Qeverie teknike që do të përkujdesej për krijimin e kushteve fer dhe demokratike për zgjedhjet që do të pasonin. Ideja u realizua shumë shpejt dhe Kuvendi votoi ministrat e rinj teknik që do të duhej të zbatonin idenë në praktikë. Pas gjithë kësaj, tanimë kur jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për më 11 dhjetor, parashtrohet pyetja, sa “teknike” është Qeveria aktuale dhe çfarë masa konkrete kanë marrë ministrat e përbërjes aktuale qeveritare, për sigurimin e kushteve për zgjedhje kredibile.

Redaksia jonë u ka dërguar letra elektronike zv/kryeministrit shqiptar dhe ministrave në këtë përbërje qeveritare “teknike” me pyetjen se, cilat masa konkrete i kanë marrë për të siguruar kushte fer dhe demokratike për zgjedhje, kështu duke e kryer edhe detyrën si pjesë e “Qeverisë teknike”.

Nga aty, transparent dhe të hapur janë treguar vetëm zv/ministri për Cështjen e Eurointegrimeve Arbër Ademi dhe ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti.

Sipas zv/kryeministrit Arbër Ademi realizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është marrëveshja mes liderëve të partive politike që përfshin dhe përmbush më shumë parakushte si garancion se të njëjtat do të zbatohen në mënyrë të drejtë dhe të besueshme.

“Funksioni i Sekretariatit për Çështje Evropiane është që të koordinojë çështjet të cilat janë të lidhura me përgatitjen e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Misioni i SÇE-së është të sigurohet përkrahje profesionale si dhe koordinim i punës së organeve të administratës shtetërore, organizatave të tjera si dhe institucioneve për përgatitjen e Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sekretariati për Çështje Evropiane ka vizion me të cilin synon që me efikasitet të realizojë funksionin e mirëfilltë koordinues gjatë aderimit të vendit në Bashkimin Evropian, të realizojë negociata të përfunduara me sukses përgjatë rrugës drejtë anëtarësimit, si dhe ta përvetësojë funksionin e tyre në përmbushjen e detyrimeve të Republikës së Maqedonisë si anëtare e plotë e Bashkimit Evropian”.
Ndërkaq, ministri Ameti garanton se respektohen dispozitat e Kodit zgjedhor, të gjitha ndalesat që parashihen në to, por edhe kahjet e qëndrimet që i ka dhënë Komisioni i anti-korrupsionit për shumë çështje për funksionimin e ministrive.

“Të gjitha ndalesat që janë në fuqi respektohen. Puna tjetër vazhdon, standard. Nuk fillojmë me projekte të reja, asgjë që nuk lejon ligji nuk e bëjmë në këtë periudhë. Ministria jonë nuk ka shumë impakt në krijimin e kushteve për zgjedhje fer. Sigurisht, duke i respektuar ligjet, ne besojmë se japim kontributin tonë për zgjedhje fer dhe demokratike”, deklaroi për Portalb ministri Ameti.

Ndryshe, nga Kabineti i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Luftiu, nga ai i Ekonomisë, Driton Kuçi, i Drejtësisë Valdet Xhaferi dhe zv/kryeministri Festim Halili, nuk e kanë parë të arsyeshme të përgjigjen në pyetjen tonë, ose deri tash nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete për sigurimin e kushteve për zgjedhje fer dhe demokratike.

Kujtojmë nocionin mbi qeverinë teknike. Ky term shpeshherë përdoret për qeveri kalimtare ose të përkohshme. Sipas shkencëtarëve politik, ato janë qeveri që nuk kanë fituar mandat gjatë zgjedhjeve, por janë krijuar me pajtueshmëri të fuqive kryesore politike në një vend. Është e mundur të formohet një qeveri e këtillë edhe me ndërmjetësim të komunitetit ndërkombëtar. Në përbërjen e saj ka ekspertë, të cilët nuk kanë lidhje partiake dhe të cilët kanë një qëllim – t’i organizojnë zgjedhjet e ardhshme.

Sa mund të kemi zgjedhje fer dhe demokratike nga një Qeveri që thirret në “teknike” e që në përbërjen e saj nuk ka ekspert është çështje tjetër.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu