Politika e jashtme me Greqinë ka qenë në qendër të takimit të radhës që kryeministri Rama ka zhvilluar me emigrantët shqiptarë, në kuadër të Samitit të Diasporës.
Në fjalën e tij, Rama e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëdhëniet dhe partneritetin strategjik me Greqinë dhe ka shprehur gatishmërinë për zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta.
“Është e vërtetë se këto marrëdhënie duhet të ngrihen në një nivel tjetër, por kemi disa skenare që na shfaqen përpara si pengesa të së shkuarës. Ne jemi angazhuar që ditën e parë për të adresuar çështjet e mbetura, kemi ngritur një grup të posaçëm dhe kemi ofruar gatishmëri të ulemi në tryezë e të diskutojmë hapur”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, puna e nisur në këtë drejtim nuk është aspak e lehtë, por mundësitë për t’i tejkaluar problemet ekzistojnë.
“Por nuk kemi ndërmend të heshtim e t’i nënshtrohemi fakteve të kryera në këto marrëdhënie. Për një kohë të gjatë fqinjët tanë u mësuan “keq” që këtu në Tiranë të kishin bashkëbisedues të nënshtruar e të heshtur, që bënin sikur s’kuptonin kur ka qenë fjalë për çështje që s’mund të anashkaloheshin”, ka theksuar Rama, duke shtuar se qasja e qeverisë aktuale këtë herë është ndryshe.
“Ne e kemi bërë të qartë për fqinjët tanë se këto çështje nuk do t’i lëmë të pazgjidhura, që të na shfaqen prap përpara, por jemi gati t’i zgjidhim duke u bazuar në parimet e reciprocitetit”, ka shtuar Rama.
Në vijim të bashkëbisedimit me të pranishmit, kreu i qeverisë shqiptare ka folur edhe për bashkimin shqiptar, i cili sipas tij duhet të realizohet në kuadër të kontekstit europian.
“Bashkimin tonë duhet ta shohim si një projekt të realizueshëm në këtë kontekst. Jemi në kushtet që mund të ndërtojmë një hapësirë të përbashkët 100 për qind me Kosovën. Hapësira që na jep projekti evropian është e jashtëzakonshme. Unë jam optimist për të ardhmen e shqiptarëve”, ka thënë Rama.
Duke iu përgjigjur sërish pyetjeve të të pranishëmve, kreu i qeverisë ka prekur edhe reformat që ka ndërmarrë kabineti i tij, duke e vënë theksin tek ajo në drejtësi, e cila sipas tij do të sjellë një faqe të re për Shqipërinë.
Rama ka shprehur gjithashtu shpresën e tij që nga ky kontakt me mërgatën shqiptare nëpër botë, “krijojmë rrjete të mirëfillta komunikimi mes qeverisë dhe diasporës”.
Ai ka bërë me dije se qeveria ka ndërmarrë një program të quajtur “Popullimi”, që synon të regjistrojë praninë e shqiptarëve jashtë atdheut, si dhe hartimin e disa programeve për mësimin e gjuhës shqipe për emigrantët./ Top Channel