As Komisioni Evropian e as delegacioni i BE-së në Shkup nuk komentojnë nëse Brukseli do të miratojë sanksione ndaj Maqedonisë, respektivisht ndaj politikanëve që po pengojnë procesin e formimit të qeverisë. Pavarësisht kësaj, ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që të ketë masa të tilla. Drejtorja e Institutit për Politikë Evropiane, Simonida Kaçarska beson se BE-ja do të vazhdojë që me mjete diplomatike, siç janë bisedat me dyer të mbyllura të bëjë presion mbi politikanët që po e pengojnë procesin e formimit të qeverisë ndërsa sanksionet ndaj tyre si: ngrirje të xhirollogarive dhe ndalimi i lëvizjes së lire sipas saj, mund të priten individualisht nga shtetet anëtare të BE-së por jo nga BE-ja si etnitet.
“Unioni Evropian si organizatë e ka të vështirë të vendosë për sanksione, para së gjithash për shkak se nevojitet konsensus nga të gjitha vendet anëtare për çështje të këtilla dhe për momentin shihet qartë se ekzistojnë vende anëtare që do ta kundërshtonin atë, siç psh Hungaria. Por, gjithnjë e më shumë në mediat kryesore, veçanërisht në Gjermani, si anëtare kyçe në BE për momentin, po flitet gjithnjë e më hapur për sanksione ndaj një pjese të liderëve politik që po e pengojnë procesin”, tha Simonida Kaçarska, drejtoreshë e Institutit për Politikë Evropiane.
Ekspertët megjithatë nuk e përjashtojnë mundësinë që megjithatë të ketë bllokim apo pakësim të fondeve që në forma të ndryshme ndahen për Maqedoninë e për të cilat nuk nevojitet konsensus mes shteteve të unionit. Raste të tilla ka pasur me fondet IPA.