Nuk e di pse po çuditeni aq shumë me qëndrimin e Zaevit për kishat në Kosovë si dhe deklaratën e tij qe serbet janë vëllezër. Pikë së pari kur ai thotë që serbet janë vëllezër e Kosova është zemra e Serbisë ai nuk thotë asgjë të çuditshme, sidomos për kontekstin në Ballkan, ku lidhjet e gjuhës dhe fesë përbejnë lidhjet kryesore kulturore dhe vëllazërore mes shteteve. Shqiptaret bëjnë të njëjtën. Është e natyrshme që Zaevi do ta përkrahe Serbinë kur është në pyetje Kosova. Ne ende nuk kemi politikane në Ballkan që mund të qëndrojnë për parime politike tej-klanore dhe tej-nacionaliste. Zaevi pra është politikan tipik ballkanas, dhe unë vetëm mund të çuditem me çudinë tone. Së dyti, edhe po të pre-supozohet se Zaevi disi është politikan më i ngritur dhe më i emancipuar se politikanet tjerë maqedonas, ai megjithatë është politikan, dhe përfaqëson një popull që ende nuk ka arritur te mendoje jashtë kategorive nacionaliste.
Maqedonasit, po sikur shqiptaret, e vështrojnë njeri tjerrin si Tjetër. Për maqedonasit shqiptari është Tjetër, dhe në vetëdijen e tij morale dhe politike shqiptari si Tjetër që është duhet të mbahet ose nën kontroll ose duhet të krijohet një distance nga ai që të mos e kontaminoje pastërtinë e nacionalizmit maqedonas. Pra kemi një popull që ende e konsideron shqiptarin si Tjetër, ai është qytetarë i Maqedonisë por disi ai nuk i përket këtij vendi, apo përkatësia e tij në ketë vend është e dyshimte, etj. E gjithë kjo pra e bën Zaevin të ndërgjegjshëm para elektoratit te tij, sidomos tani kur ai është akuzuar për tradhti të interesave nacionale. Sado të rreme dhe jo të vërteta këto akuza ato e dëmtojnë statusin e tij si politikan. Prandaj deklaratat e tij për Kosovën duhet të shihen në këtë kontekst. Kryesore megjithatë, është që ai, me shume se politikanet tjerë, është i hapur për një bashkëpunim me shqiptaret dhe njohjen e të drejtave të tyre në Maqedoni. Çka thotë ai për Kosovën ka krejt pak rendësi për Kosovën, shkruan Sead Zimeri në profilin e tij në facebook.