Sekretari Austin: Nuk i frikësohemi fuqisë së re ushtarake të Kinës

Zyrtarët e lartë amerikanë të mbrojtjes pranojnë se përparimet e fundit në fushën ushtarake të Kinës, mes tyre testimi i një sistemi armësh hipersonike, janë arsye për t’u shqetësuar. Megjithatë Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se kjo nuk është një arsye për panik.

“Amerika nuk është një vend që i frikësohet konkurrencës”, thuhet në një fjalim të parapërgatitur të Sekretarit Lloyd Austin, i cili pritet ta lexojë më vonë gjatë ditës së shtunë, përpara zyrtarëve qeveritarë dhe kompanive që kryejnë veprimtari në fushën e mbrojtjes, pjesëmarrës në Forumin e Mbrojtjes Kombëtare ‘Regan” që zhvillohet në Kaliforni.

“Ne po përballemi me një sfidë të madhe dhe do ta përballojmë këtë me besim e vendosmëri, jo me panik e pesimizëm”, thuhet ndër të tjera në fjalim.

Zyrtarët e lartë ushtarakë amerikanë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për muaj të tërë, duke paralajmëruar se Pekini po ‘mbyll hendekun’ në një përpjekje për të tejkaluar Shtetet e Bashkuara si fuqia kryesore ushtarake në botë në dekadën e ardhshme.

Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, shkoi me larg me komentet e tij duke e krahasuar testin me raketa hipersonike të Kinës, zhvilluar korrikun e kaluar, me lëshimin nga Rusia të satelitit të parë artificial në botë në vitet 1950, i cili ndezi garën hapësinore që dominoi dekadat e ardhshme.

“Nuk e di nëse është një moment si ai i Sputnikut, por mendoj se është shumë pranë tij”, tha z. Milley për televizionin Bloomberg muajin e kaluar. “E gjithë vëmendja është aty”, shtoi ai.

Një raport i Pentagonit i lëshuar muajin e kaluar mbi fuqinë ushtarake të Kinës dilte në përfundimin se Pekini është “gjithnjë e më i gatshëm të përballet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, në zonat ku interesat ndryshojnë”. Raporti paralajmëroi se Kina ka të ngjarë të ketë të paktën 1000 armë me mbushje bërthamore deri në vitin 2030.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu