Në emisionin Top Shoë po diskutohet mbi zgjedhjet në Maqedoni ku të ftuar janë Zijadin Sela, kreu i Aleancës për Shqiptarët; gazetari Nazim Rashidi; administratori i Albeu.com, Idaver Sherifi, Arianit Hoxha nga Lëvizja BESA si edhe studiuesi Olsi Jazexhi.
I pyetur në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, Sela tha se gjatë gjithë fushatës Aleanca për Shqiptarët ishte censuruar në media duke theksuar se tashmë është moment që shqiptarët të kushtëzojnë votën ndaj maqedonasve për çështje si ajo e gjuhës shqipe, proceset e montuara gjyqësore, taksat etj.
Sela paralajmëroi gjithashtu se në krahun e opozitës shqiptare ka bashkëpunëtorë të BDI-së, shkruan Albeu.com.
“Mos bashkëpunimi i shqiptarëve ka qenë i instrumentalizuar. BDI kishte aktorë brenda opozitës shqiptarë për të mos e lejuar këtë bashkëpunim. Kemi pasur censurë nga mediumet. Nuk jemi shfaqur në fushatë. Qeveria për shembull i ka dhënë mbështetje mediatike Lëvizjes BESA”., – tha Sela.
Ndërkohë, administratori i Albeu.com, Idaver Sherifi tha se shqiptarët votuan strategjikisht ndaj LSDM-së duke marrë në konsideratë faktin se kështu mund të rrëzonin Gruevskin.
“Nëse opozita shqiptare do të ishte bashkuar do kishte më shumë shpresë në sytë e elektoratit shqiptar. Shqiptarët votuan LSDM-në për të rrëzuar Gruevskin. Kjo situatë i ka favorizuar shqiptarët pasi nuk do të kishte mënyrë tjetër për rrëzuar Gruevskin nga pushteti. Unë mendoj se shqiptarët janë të fituar strategjikisht me këtë panoramë të krijuar. Pa votën e tyre nuk bëhet qeveri në Maqedoni., – tha Sherifi.
Arianit Hoxha i BESA-s tha se ata nuk do të pranonin kurrsesi që të hynin në aleancë qeverisëse me BDI-në.
Gjatë emisionit pati edhe debat mes Selës dhe Hoxhës së BESA-s, ku kreu i Aleancës për Shqiptarët e pyeti atë se çfarë përfaqësonte duke ardhur në studio pasi nuk ishte as anëtar i partisë.
Studiuesi Olsi Jazexhi theksoi ndërkohë se shqiptarët nuk kanë përse të kenë shpresë edhe ndaj Zaevit , pasi ai ashtu si edhe Gruevski është sllavo-maqedonas. /InfoShqip.com