Për dallim prej projekteve maqedonase të VMRO-DPMNE-së, që gjithnjë realizohen ashtu siç e parasheh ligji, projektet shqiptare shënojnë mangësi të shumta deri në realizimin e tyre. Kjo për fat të keq po vërehet edhe në rastin e themelimit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Përskaj dyshimeve për politizim të skajshëm, nga ana e BDI- së, mungesës së hapësirës adekuate dhe mangësive tjera, edhe çmimet për studime në këtë universitet do të jenë dyfish më të shtrenjta. Sipas vendimit të Qeverisë çmimi i semestrit në universitetet shtetërore është 100 euro, kurse sipas ueb faqes së tyre, në Universitetin “Nënë Tereza” çmimi për një semestër do të jetë 200 euro. Kjo ka revoltuar disa të rinj që janë interesuar të ndjekin studimet në këtë universitet, të cilët e kanë denoncuar rastin te Gazeta Lajm.
“Pse asnjë projekt i shqiptarëve nuk mund të fillojë si duhet? Pse ne të paguajmë nga 200 euro”, janë ankuar një grup të rinjsh të interesuar të studiojnë aty.
Gazeta “Lajm” ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit lidhur me këtë diskriminim, por nuk kemi arritur. Kurse rektori i këtij universiteti, Aziz Pollozhani dha një sqarim të çuditshëm.
“Ende çmimet nuk janë zyrtare. Juridikisht ende nuk e kam marrë postin dhe nuk mund të flas më tepër. Ueb faqja nuk ëhstë zyrtare dhe është shpallur vetëm për të testuar interesimin e studentëve, se për cilat fusha është më I madh. Do të tentojmë që çmimet të jenë nën minimalen. E kemi hapur për të lehtësuar, e jo për të rënduar sistemin arsimor”, deklaroi Pollozhani për “Lajm”.
Heshtje totale për stafin
Në ndërkohë, të hënën ka vazhduar heshtja totale nga komisionet amë për përzgjedhjen joadekuate të stafit akademik në Universitetin “Nënë Tereza”. Pas publikimit të të dhënave për mospërputhje të lëmive të përgatitjes akademike dhe lëmive që u janë ndarë, Alsat tentoi të kërkoi sqarime edhe nga anëtarët e komisioneve amë për përzgjedhjet e bëra. Thirrjeve dhe porosive nuk ju përgjigjën as Mirushe Hoxha nga Komisioni amë për Shkencat Sociale, as Murtezan Ismaili nga komisioni amë për shkencat teknologjike dhe as Aleksandar Klimovski nga po i njëjti organ. Ata nuk pranojnë të flasin për të sqaruar mospërputhjen e detyrimeve që u kanë ndarë profesorëve dhe fushave të përgatitjes akademike të tyre. Pavarësisht se Alsat dje publikoi qëndrime të anëtarëve të Komisioneve amë ku thuhej se i gjithë procesi i konsolidimit të organeve të UNT-së dhe përzgjedhjes së stafit akademik është bërë nga vetë Aziz Pollozhani dhe ata nuk kanë pasur asnjë kompetencë mbi procesin, ministri i Arsimit dhe Shkencës Pishtar Lutfiu i quajti këto pretendime tendencioze.
“Mendoj që një përgjigje më të mirë do të kishin nga vetë komisionet amë megjithatë atë mendoj se akuzat e këtilla tendencioze nuk janë korrekte se komisionet amë kanë qenë njerëz profesionistë dhe të rritur që kanë bërë punën e tyre sipas ligjit dhe ashtu siç ju takon. D.m.th. në mënyrë profesionale. Disa prej tyre kanë qenë edhe më herët në procese të themelimit të universiteteve kështu që besoj se konsideratat e tilla nuk janë në rregull”, tha Pishtar Lutfiu, ministër i Arsimit.
Një ditë pas përzgjedhjes së Pollozhanit si ushtrues detyre Rektor, atij i është dhënë thirrja profesor ordinar i nutricionizmit duke plotësuar kështu kushtet për të qenë rektor. Pollozhani ka diplomuar në mjekësi, ka doktoruar në menaxhment shëndetësor, ndërsa në USHT ka ligjëruar lëndët Higjiena dhe Mjekësia Sociale duke mos pasur kështu lidhje me lëmin e nutricionizmit. Rasti i Pollozhanit, është i njëjtë me të disa anëtarëve tjerë të stafit akademik.
Kosova ofron kuadër dhe studentë për UNT-në, por jo edhe objekt
Nga ana tjetër, UNT ka qenë temë edhe në takimin e djeshëm të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu me homologun e tij kosovar, Arsim Bajrami. Me këtë rast ministri Bajrami deklaroi se Kosova do ta ndihmojë universitetin më të ri në Maqedoni, “Nënë Tereza” me kuadër dhe studentë. Ministrat njoftuan se dy vendet do ta intensifikojnë bashkëpunimin, ashtu që do të lëshojnë grante për kërkime shkencore, kuota doktorature e do të hapin program të përbashkët doktorature, transmeton Fakte.
“E njoftova ministrin Bajrami për hapjen e universitetit të ri dhe sigurisht që bashkëpunimi me Prishtinën zyrtare do të jetë mbi nivel”-tha në konferencën për shtyp ministri Pishtar Lutfiu.
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami nga ana tjetër, përgëzoi Lutfiun për universitetin e ri, program që siç theksoi, “Qeveria e Kosovës do ta përkrahë me mësimdhënës, ndoshta edhe me disa studentë që janë të nevojshëm.”
“Sot kemi biseduar për projekte dhe për respektimin e marrëveshjes që e ka nënshkruar ish-ministri, Ademi. Kemi biseduar për lëshimin e granteve nga ana e dy ministrive dhe grupet e punës në kontinuitet kanë punuar nga dita e nënshkrimit të kësaj marrëveshje dhe besojmë se më 10 tetor do të lëshohen nga të dy ministritë përkatëse më qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit mes dy shteteve”-deklaroi ministri Lutfiu, duke aluduar në grantet që do t’u ofrohen profesorëve dhe asistentëve për kërkime shkencore.
“Ne jemi takuar edhe në Prishtinë dhe sot konfirmuam gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar në çdo segment. Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë janë dy shtete fqinje dhe tradicionalisht kanë pasur shkëmbim të studentëve dhe mësimdhënësve”-deklaroi ministri Bajrami.
Ai konfirmoi se Kosova ka filluar njohjen e diplomave të universiteteve private të Maqedonisë e më këtë t’iu mundësojë mobilitet studentëve kosovarë që kanë studiuar në Maqedoni. Poashtu, sipas tij, pritet që së shpejti të hapet një program i përbashkët doktorature, në sferën e mjekësisë mes siç theksoi“Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Shkupit”. Ndërkohë që planifikohen edhe ndarje të kuotave për studim të doktoraturës. (m.i.&a.h.)