“Serbët po bëhen gati për luftë, Shqipëria të mos e lërë vetëm Kosovën”

Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka deklaruar se janë të gjitha gjasat për një konflikt të ri mes shqiptarëve dhe serbëve.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Kurti shprehet se sot në Beograd janë në pushtet të gjitha forcat politike që ishin në kohën e Sllobodan Milosheviçit.

Gjithashtu shton se edhe rritja e shpenzimeve ushtarake të Serbisë flet për mundësitë e një konflikti.

“Serbia është duke u militarizuar ndërkaq ndikimi rus është duke u shtuar. Buxheti vjetor i Serbisë për ushtrinë e saj është 500 milionë euro.

Sivjet ajo ka ndarë edhe 300 milionë të tjera për armatim të ri dhe mirëmbajtje të tij. Bosnja, Kosova, por edhe Mali i Zi janë në rrezik nga Serbia.

Kosova e Shqipëria duhet të bashkërendohen për fatin e mirë të kombit shqiptar”, shprehet Kurti.

Tensionet e kohëve të fundit me murin në Mitrovicë, arrestimin e Ramush Haradinajt dhe treni serb, sipas Albin Kurtit flasin për një ringritje të nacionalizimit shovinist serb me ndihmën e Rusisë.

I pyetur për rolin që duhet të luajë Tirana zyrtare në lidhje me Kosovën, Kurti shprehet se, shteti shqiptar duhet të mbledhë shqiptarët anembanë kufijve,pasi Kosova është tejet e rëndësishme për t’ia lënë atë, vetëm qeverisë së Kosovës.

“Duhet të shikojmë përpara në këto kohëra vendimtare për vitet e ndoshta edhe dekadat në vijim. Qeveria dhe shteti shqiptar duhet të mbledhë shqiptarët anembanë kufijve që na ndajnë padrejtësisht dhe njëkohësisht të fuqizojë aleancën rajonale me Zagrebin, Sarajevën dhe Sofjen.

Kosova është tejet e rëndësishme për t’ia lënë atë vetëm qeverisë së Kosovës. Qeveria e Shqipërisë duhet ta ketë parasysh këtë”, ka deklaruar Albin Kurti për situatën e acaruar mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. /albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu