Nga: Enver Robelli
Një politikë shkurtpamëse e Perëndimit ndaj Serbisë
-Provokimet e Serbisë në veri të Kosovës më së paku janë çështje targash të automjeteve. Çfarë po synon Serbia është zhbërja e kapitullimit të saj në Kumanovë në qershor 1999. Domethënë: Serbia po synon të kalojë kufirin e Kosovës për të nisur aventurat e reja në Ballkan, duke prishur kufijtë dhe rendin e shteteve fqinje. Sot Kosova, nesër Bosnja, pasnesër Mali i Zi. E ndoshta edhe Maqedonia.
-Ngjashëm si Rusia e Vlladimir Putinit që nuk është pajtuar me kolapsin e Bashkimit Sovjetik, as Serbia nuk pajtohet me rendin e ri në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë – një rend i vendosur sidomos me ndërhyrjen e NATO-s më 1999. Rusia e pushtoi Krimenë dhe Perëndimi heshti; pastaj Rusia sulmoi Ukrainën lindore dhe Perëndimi heshti; pastaj Rusia u nis drejt Kievit dhe Perëndimi u zgjua nga gjumi, por ishte tepër vonë. Serbia ka të njëjtin plan si Rusia. Ende synon të jetë sundimtare mbi popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë. Nuk pajtohet me kufijtë në Ballkan. Ka plane të gllabërojë territore të shteteve të tjera.
-Duke pasur parasysh këtë, politika e Perëndimit ndaj Serbisë është shkurtpamëse. Gabimisht apo nga mosgatishmëria për të vepruar, shumë diplomatë perëndimorë besojnë se Serbia qetësohet duke u ledhatuar. Përkundrazi.
-Kosova nuk është shtet i fuqishëm. Siguria e saj varet edhe nga garancitë e shteteve perëndimore. Nga prania e KFOR-it. Por edhe shtetet që nuk janë të fuqishme në duart e tyre kanë diçka të fuqishme: të vërtetën. Disa të vërteta duhet të thuhen: diplomatët perëndimorë që aktualisht po merren me Kosovën, janë duke i bërë presion palës më pak të fuqishme (Kosovës) dhe po e tolerojnë agresorin nga frika se agresori mund të shkaktojë më shumë dëm se viktima, pra Kosova.
-Nuk është problem që serbët e veriut qe 23 vjet ecin me targa ilegale, nuk është problem që qe 23 vjet nuk paguajnë rrymë, nuk është problem që nuk paguajnë asnjë shërbim komunal. Problem është që Kosova po kërkon vendosjen e rendit dhe ligjit. Andaj diplomatë tejet të papërgjegjshëm, tendenciozë dhe proserbë si Mirosllav Lajçaku tinëzisht angazhohen që serbët në veri të kenë targa neutrale për veturat e tyre. Neutrale ndaj kujt? Lajçaku nuk është i interesuar në zgjidhjen e problemeve, por në prolongimin e zgjidhjes së problemeve, sepse kjo i garanton atij prani në skenën e politikës europiane dhe – çka është më me rëndësi – një rrogë pesë-shifrore në euro. Hajde ta zëmë se kryeministri Albin Kurti me kryeneçësinë e tij po i acaron “raportet me miqtë tanë”. Por a nuk ishte vetë Hashim Thaçi i cili disa herë pati refuzuar ta takojë Lajçakun kur e kuptoi rolin e tij destruktiv në dialogun me Serbinë? “Më ka gënjyer në sy në rastin e UNESCO-s” – këto janë fjalët e vetë Thaçit sa i përket Lajçakut.
-Ka shumë politikanë naivë (ose cinikë) në Prishtinë që pretendojnë se «sa herë që i kemi dëgjuar miqtë ndërkombëtarë, kemi kaluar mirë». Po, ka shembuj nga historia për këtë. Por jo përherë pranimi i kërkesave perëndimore ka qenë në dobi të Kosovës. A u pranua marrëveshja e vitit 2013 me Serbinë, a u pranua asociacioni i komunave serbe, a u pranua demarkacioni me Malin e Zi, a u pranua më herët demarkacioni me Maqedoninë, a u pranua madje edhe Gjykata Speciale, a u pranua që Forca e Sigurisë së Kosovës të mos vendoset në veri, a u pranua fusnota krahas emrit të Kosovës, çka nuk u pranua që nga shpallja e pavarësisë – dhe çka mori Kosova pas gjithë këtyre lëshimeve?
-Me përjashtim të Rusisë dhe Bjellorusisë, Kosova sot është i vetmi vend në Europë pa liri të lëvizjes. Kosova trajtohet nga Perëndimi si «rezervat indianësh». Edhe ata që nuk janë pajtuar me qëndrimet e kryeministrit Ramush Haradinaj më 2019 në takimin e Berlinit (kur ndodhi përplasja me presidentin e Francës Emmanuel Macron pas kërkesës së tij për heqjen e tarifave ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe) duhet të kenë mirëkuptim për frustrimin e Haradinajt pasi ishte ballafaquar me arrogancën e Macronit i cili kryeministrit të Kosovës iu drejtua me këto fjalë: «Ti nuk je në pozitë për të kërkuar diçka». Të njëjtit propagandistë të qershisë panshqiptare që më 2019 e quanin Haradinajn antiperëndimor, sot e etiketojnë edhe Kurtin si të tillë. E vërteta është se Kosova as në kohën e komunizmit jugosllav nuk ka pasur politikanë antiperëndimorë, e lëre më pastaj. Madje fotografia e liderit të fundit komunist të Kosovës Azem Vllasi qe botuar në faqen e parë të «New York Times» kur atë e pati nxjerrë para gjyqit regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
-Fatkeqësisht, as agresioni rus ndaj Ukrainës dhe as refuzimi i Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë nuk kanë ndikuar në një kthesë serioze të politikës perëndimore ndaj Beogradit. Ta marrim punën e targave: mund ta mallkojmë e ta kritikojmë qeverinë e Kosovës dhe sidomos kryeministrin se po tregohet jofleksibël ndaj kërkesave perëndimore (dhe ndoshta është ashtu). Por çka po ofrojnë ndërmjetësuesit perëndimorë nëse Kosova i toleron targat e vjetra në automjetet serbe edhe gati një vit? Asgjë nuk po ofrojnë. Planin francezo-gjerman Serbia e hodhi poshtë. Në atë plan (sipas burimeve një faqe A4 me 7-8 pika) nga Serbia nuk kërkohet ta pranojë Kosovën. Por vetë ekzistenca e Kosovës në atë dokument po e pengon Serbisë, sepse Serbia dëshiron zhbërjen e Kosovës.
-Me një arrogancë të paparë diplomatët perëndimorë kërkojnë që Kosova të themelojë menjëherë asociacionin e komunave serbe. As që po bëhet merak dikush në Perëndim që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka theksuar se asociacioni në pjesën më të madhe bie ndesh me Kushtetutën dhe duhet të riformulohet në së paku 23 pika. Nuk po insistohet nga ndërmjetësuesit perëndimorë që së pari të riformulohen ato 23 pika, mandej statuti të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe të marrë pëlqimin e saj. Jo, jo – kërkesa është eksplicite: Kosova duhet të themelojë asociacionin. Kjo është njëra ndër «dhuratat» më toksike që ia kanë lënë trashëgimi Kosovës pushtetarët e kaluar.
-Me një lehtësi neveritëse diplomatët perëndimorë po kërkojnë që Kosova të pranojë asociacionin dhe me një cinizëm të madh po e heshtin kërkesën që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Prej kur u bë më i rëndësishëm asociacioni se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia? Presidenti serb, i përkëdheluri i Perëndimit, ashtu siç u përkëdhel edhe Vlladimir Putini me vite, po shkakton tensione në veri të Kosovës për t’iu kundërvënë planit gjermano-francez, të cilin Kosova nuk e ka hedhur poshtë – së paku jo aq sa dihet publikisht.
-Situata në veri është e rrezikshme dhe mund të eskalojë. Mund të ketë edhe viktima. Mafia politike serbe që deri dje bartte poste publike dhe uniforma, tash është kthyer aty ku ishte – në nëntokë. Ta marrim si shembull gjykatësen Liljana Stevanoviq, e cila sot iu drejtua mitingashëve serbë me këto fjalë: «Ne kemi vendosur unanimisht të largohemi nga sistemi gjyqësor dhe t’i bashkohemi të gjithëve në këtë luftë. Vendimi ynë është i qartë. Mendoj se jemi ambasadorët më të mirë të gjyqësisë serbe», ka thënë Stevanoviq. Pra, përfaqësuesja e «gjyqësisë serbe» thotë se tash i është «bashkuar luftës». Cilës luftë? Në një shtet normal një kriminele e tillë do të përfundonte në burg. Por me gjasë së shpejti Mirosllav Lajçaku do të kërkojë kthimin e saj në punë – për të ndarë drejtësi në «Kosovën multietnike».