Sfida e rrezikshme mes Rusisë dhe Perëndimit nuk luhet në frontin sirian, në Ukrainë dhe në kufijtë e Balltikut, por shumë pranë shtëpisë sonë, në Malin e Zi, shkruan Il Giornale, transmeton Bota.al.
Në bregun e këtejshëm të Adriatikut është duke u konsumuar një luftë e ftohtë e paprecedentë, në lidhje me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Uashingtoni nxit për anëtarësimin në muajt e parë të vitit 2017, dhe Moska e sulmon si lëvizjen e radhës të një “lufte të ftohtë”. Zgjedhjet parlamentare sot do të jenë jetike për ta ardhmen e Malit të Zi, që ndodhet i lëkundur mes zgjedhjes së kampit euro-atlantik dhe lidhjeve historike politike e ekonomike me Rusinë, transmeton bota.al.
Për herë të parë, opozita e Frontit Demokratik është dukshëm e bashkuar për të larguar kryeministrin pothuaj të përjetshëm, Milo Gjukanoviç. Partia e tij demokratike socialiste mund të marrë më shumë vota se rivalët, por jo shumicën. Frika është se mos rezultati i zgjedhjeve ta bëjë faktikisht të paqeverisshëm Malin e Zi: sipas Institutit Ndërkombëtar për studime për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin në Lubjanë, një rezultat i pasigurtë, bashkë me tensionet në lidhje me NATO-n, rrezikon të shkaktojë një “destabilizim të Malit të Zi dhe të rajonit”.
Tingëllon absurde për një shtet, i konsideruar si perla mbi Adriatik, me vetëm 620 miijë banorë. Kryeministri Gjukanoviç ka luajtur kartën e zgjedhjeve të sotme si një plebishit në favor të NATO-s, duke treguar me gisht opozitën e cila i ka sytë nga Moska. Në pushtet prej vitit 1991, ai mbështetet fort nga Shtëpia e Bardhë.
Të gjithë ata që janë kundër Gjukanoviçin mund të mbështeten tek Miodrag Lekiç, ish ambasadori i Beogradit në Romë. Opozita kërkon një referendum të vërtetë mbi NATO-n dhe kërkon “dekriminalizimin e vendit” nga tentakulat e kryeministrit. Gjukanoviçi dhe të tijtë janë përfshirë disa herë në skandale korrupsioni dhe marrëdhënie më shumë se të errëta me kriminalitetin e organizuar, edhe me Italinë.
Në rast referendumi, anëtarësimi në NATO rrezikon të ndalet nga shumica serbe e popullsisë (42.88%) që nuk e ka kapërdirë asnjëherë pavarësinë nga Beogradi në vitin 2006, ashtu sikurse edhe bombardimet e aleatëve për çlirimin e Kosovës.
Rrugëtimi i Malit të Zi drejt Aleancës Atlantke ka nisur tashmë dhe pret vetëm ratifikimin nga vendet anëtare, pavarësisht se republika e vogël ballkanike ka një ushtri me vetëm 2 mijë ushtarë.
Deputetët rusë kanë sulmuar që në muajin qershor hyrjen e Malit të Zi në Aleancë: Kremlini e konsideron një lëvizje të radhës të perëndimorëve, në një zonë të influencës ruse. Investimet ruse në Mal të Zi kanë qenë 1.16 miliardë euro, që nga viti 2005. Jo vetëm kaq: afro 40% e pasurive të paluajtshme është në duart e sipërmarrësve dhe oligarkëve të Moskës. Çdo vit, 300 mijë rusë nuk kanë nevojë për vizë për të kaluar pushimet në brigjet e Malit të Zi.