Nuk ka fund dueli mes Hillary Clintonit dhe FBI-së. Vetëm një javë përpara zgjedhjeve, Byroja Federale e Hetimit i jep një tjetër goditje ish-Sekretares së Shtetit, këtë herë duke publikuar dosjen e një hetimi të vjetër të arkivuar prej kohësh, që ka në qendër Bill Clintonin.
Bëhet fjalë për amnistinë që ish-presidenti i ofroi një mikut të tij financier, i arratisur në Zvicër, për t’iu shpëtuar akuzave për evazion fiskal. Dosja prej 129 faqesh, që i përket 17 viteve më parë, është pasqyruar në faqen e internetit të FBI-së, ku bëhen publike dokumentet e deklasifikuara, mbi bazën e ligjit për lirinë e informimit.
Tepër i ashpër ishte reagimi i drejtuesve të fushatës së kandidates demokrate, që polemizojnë mbi kohën e shpejtë me të cilën po vepron FBI-ja, pas njoftimit të disa ditëve më parë për rihapjen e hetimeve mbi çështjen e “e-mail”-eve të Hillary Clintonit.
“Duke qenë se nuk ka një skadencë për publikimin e këtyre informacioneve, ky veprim në këtë moment duket i çuditshëm. A do të postojë FBI-ja diçka edhe për Trumpin?”, tha në një reagim stafi i demokrates.
Çështja kontroverse e rikthyer në qendër të vëmendjes është ajo e financierit Marc Rich, i ndarë nga jeta në vitin 2013, i cili u dënua në 1983-shin dhe u arratis në Zvicër për t’i shpëtuar ndjekjes penale.
Bill Clinton i dha amnistinë në fund të mandatit të tij të dytë, në vitin 2001. Nga dokumentet zbulohet edhe një lidhje mes Fondacionit Clinton dhe një donacioni të dyshimtë nga ana e një personi të paidentifikuar, në favor të Bibliotekës presidenciale Clinton.
Mediet kujtojnë se gruaja e Rich, Denise, në atë kohë ishte impenjuar për të derdhur një shifër prej 450 mijë dollarësh. Nga viti 2003, çështja u hetua pikërisht nga James Comey, kreu aktual i FBI-së, atëherë prokuror i Përgjithshëm. Hetimet u mbyllën pa asnjë rezultat në vitin 2005.
Duke mbrojtur vendimin për publikimin e dokumenteve, FBI-ja theksoi se kishte respektuar ligjin dhe se e kishte bërë këtë pas kërkesave të bëra mbi bazën e “Freedom of Information Act”.