Nënpresidentja Kamala Harris thotë se ajo beson se Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin nëpërmjet ndërtimit të aleancave për të menaxhuar konfliktet. Ish-Presidenti Donald Trump thotë se nëpërmjet shfaqjes së fuqisë dhe nëpërmjet paparashikueshmërisë, mundet t’i ndalë luftërat përpara se ato të fillojnë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Ëidakusëara bisedoi me ekspertët se cila prej përqasjeve për politikën e jashtme mund të ishte më efikase për uljen e konflikteve, ndërsa vazhdojnë luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Evropë.
Në janar 2025, amerikanët do të kenë një president të ri, që do të ketë rol kryesor në përcaktimin e interesave gjeostrategjike të Shteteve të Bashkuara, si dhe do të jetë komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura më të fuqishme të botës. “Unë nuk bëj luftëra. Nuk pata luftëra, përveç ISIS-it, të cilin e munda, por edhe ajo ishte një luftë që ishte filluar më parë. Ne nuk kishim luftëra. I ndalja me një telefonatë”, tha ish-Presidenti Trump. Ai nuk ka qartësuar ndonjëherë se si do t’i ndalte luftërat.
Gjatë mandatit të Presidentit Joe Biden, Rusia sulmoi Ukrainën dhe grupet militante Hamas dhe Hezbollah sulmuan Izraelin, duke shkaktuar një kundërpërgjigje të përgjakshme ushtarake njëvjeçare nga Izraeli. Gjatë mandatit të ish-Presidentit Trump nuk filluan luftëra të rëndësishme dhe ai nuk i përfshiu Shtetet e Bashkuara në konflikte të reja të armatosura. Mbështetësit e tij e quajnë ‘paqe nëpërmjet fuqisë’.
Demokratët thonë kjo se ishte një rastësi dhe se në përfundim të mandatit të ish-Presidentit Trump, forcat amerikane vazhdonin të luftonin në Afganistan, Siri, Irak dhe Jemen. Në ekuacion ka rol edhe paparashikueshmëria e ish-Presidentit Trump. “Ka rëndësi ideja se duke u shtirur, apo duke qenë i gatshëm për të qenë ‘i çmendur’ në politikën e jashtme dhe për t’u kundërpërgjigjur pa mëshirë ishte një mënyrë fuqie. Dhe paparashikueshmëria në këtë kuptim, mund të jetë një virtyt”, thotë historiani Thomas Schëartz, nga Universiteti Vanderbilt.
Kritikët thonë se paparashikueshmëria e ish-Presidentit Trump, e kombinuar me egocentrizmin e tij, është e rrezikshme në një botë me armë bërthamore. Paparashikueshmëria mund të komplikojë edhe procesin e menaxhimit të konflikteve. “Një pjesë e mirë e uljes së tensioneve dhe diplomacisë varet aktualisht nga koreografia, dhe koreografia duhet të jetë e parashikueshme. Pra, nëse e di se çfarë do të bëjë kundërshtari me hapin e ardhshëm, mund t’i çosh gjërat deri pranë cakut, por pa e kaluar atë”, thotë studiuesja Laura Blumenfeld, nga Universiteti Johns Hopkins.
Në frontin diplomatik, Nënpresidentja Harris shihet si më tradicionale. Ashtu si Presidenti Joe Biden, ajo beson tek multilateralizmi dhe tek ndërtimi i aleancave për të ruajtur rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara. “Si nënpresidente, jam përballur me kërcënimet ndaj sigurisë tonë, kam negociuar me udhëheqës të huaj, kam forcuar aleancat tona dhe jam angazhuar me ushtarakët tanë kurajozë të dislokuar në vende të tjera. Si komandante e përgjithshme, do të sigurohem që Amerika të ketë gjithnjë forcat më të fuqishme luftarake në botë”, tha Nënpresidentja Harris.
Por ashtu si ish-Presidentit Trump, edhe Nënpresidentes Harris mund t’i duhet të përzgjedhë se cilat konflikte do të kërkojnë një përgjigje ushtarake amerikane. Shtetet e Bashkuara nuk janë më superfuqia e vetme e botës. “Kandidatët Trump dhe Harris nuk e neglizhojnë faktin se fuqia po rishpërndahet në sistemin ndërkombëtar, se kanë ndikim edhe vende të tjera, se Rusia dhe Kina kanë pikëpamjet e tyre për mënyrën se si duhet të funksionojë rendi ndërkombëtar”, thotë studiuesja Ellen Laipson, nga Universiteti George Mason.
Diferenca, thotë zonja Laipson, është se Nënpresidentja Harris beson në fuqinë kolektive dhe se do të jetë më e prirur për t’i bashkuar vendet për t’i zgjidhur problemet së toku. Nënpresidentja Harris pritet t’i vazhdojë përpjekjet e Presidentit Biden për unitetin transatlantik në mbështetje të Ukrainës.
Për Gazën, Nënpresidentja Harris ka theksuar respektimin e ligjeve humanitare. “Donald Trump-i po i thotë Kryeministrit Netanyahu ‘bëj ç’ke për të bërë në Lindjen e Mesme’. Kamala Harris thotë ‘ke të drejtën për vetëmbrojtje dhe duhet të kesh parasysh krizën humanitare për palestinezët’. A do të sjellë një prej tyre një rezultat të ndryshëm? Në fund të fundit, a po i dëgjon njeri Shtetet e Bashkuara?”, thotë studiuesja Blumenfeld. Ndërsa amerikanët përgatiten për të votuar, kjo do të jetë një pyetje e vështirë për t’i dhënë përgjigje, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet në nëntor./Voa