Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) pranojnë se misioni i Kombeve të Bashkuara i cili kishte për qëllim largimin e të gjitha armëve kimike nga Siria nuk ka qenë plotësisht i suksesshëm.
“Natyrisht nuk kemi larguar të gjitha kapacitetet për prodhimin e armëve kimike”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner të premten në mbrëmje në konferencën për mediat.
Ai theksoi se në këtë rast nuk është shënuar “fitore”, por se misioni i cili është zbatuar ka zvogëluar mundësinë që armët kimike sërish të përdoren kundër popullit sirian, raporton Anadolu Agency.
Toner e dha këtë deklaratë pas insistimit që të përgjigjet në pyetjen e gazetarit se si në Siri edhe më tej përdoren armët kimike kur më herët bashkësia ndërkombëtare ka pohuar se ato janë neutralizuar.