SHBA-të pezullojnë importin e mishit nga Brazili

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë njoftuar se kanë pezulluar eksportin e mishit nga Brazili, pas skandalit të mishit të prishur në këtë vend muaj më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sekretari Amerikan i Bujqësisë, Sonny Perdue, përmes një deklarate ka theksuar se SHBA-të pezullojnë importin e mishit nga Brazili, derisa Ministria e Bujqësisë e këtij vendi të marrë masat e nevojshme.

Perdue është shprehur se inspektorët amerikanë kishin reduktuar 11 për qind të importeve të mishit të freskët nga Brazili që prej shpërthimit të skandalit të mishit të prishur në mars të këtij viti.

Ndryshe, si rezultat i operacioneve policore në Brazil që nisën më 17 mars u zbulua se inspektorë të Ministrisë së Bujqësisë u kishin dhënë liçenca prodhuesve të papërshtatshëm në këmbim të ryshfetit dhe se shumë kompani kishin shitur në tregjet e jashtme mish me afat të skaduar apo mish të prishur duke ndërruar afatin e skadimit dhe injektuar substanca kimike.

Policia kishte nisur hetim ndaj 21 kompanive me akuzat për ndryshim të datës së skadimit të afatit dhe injektim të substancave kimike.

Shumë shtete sollën kufizime në importin e mishin pas shpërthimit të skandalit, ndërsa Bashkimi Evropian dhe disa shtete kishin pezulluar atë.

Brazili është një nga eksportuesit më të mëdhenj të mishit në botë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu