Shefi i NATO-s: Keqardhje për viktimat e bombardimeve më 1999

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se beson në bashkëpunimin ndërmjet NATO-s dhe Serbisë në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë, duke respektuar qëndrimin e saj për paanësi ushtarake.

Pas takimit më kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel ai tha se Serbia është pjesë e familjes evropiane me të cilën ndahen vlera të përbashkëta të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, ndërsa shfaqi besimin në bashkëpunimin ndërmjet NATO-s dhe Serbisë.

“Ne mund të kujtojmë të kaluarën, por të shohim drejt së ardhmes. Sikundër e kam thënë gjatë vizitës në Beograd, qëllimi i fushatës ajrore në vitin 1999 ishte mbrojtja e civilëve. Dhe ne e bëmë këtë. Humbja e jetëve të pafajshme ishte tragjedi dhe ndjejë keqardhje të thellë. Sot përballemi me sfida të përbashkëta të sigurisë, po punojmë së bashku në mënyra të ndryshme dhe unë e mirëpres bashkëpunimin pragmatik që jemi duke e zhvilluar ndërmjet NATO-s dhe Serbisë”, tha sekretari Stoltenberg.

Kryeministri serb tha se bashkëpunimi me NATO-n është në funksion të paqes e qëndrueshmërisë në rajon.

“Ne jemi të rrethuar me vendet e NATO-s ose me ato që duan të jenë anëtare të NATO-s. Njerëzit në Serbi duhet ta dinë që nëse duam paqe, qëndrueshmëri, zhvillim ekonomik, standard me të mirë jetese, njerëz më të kamur në Serbi, jam tërësisht i bindur që kusht kryesor është të kemi paqe e qëndrueshmëri dhe të ndërtojmë marrëdhënie të mira me NATO-n. Serbia është ushtarakisht e paanshme dhe e respekton vendimin e parlamentit të saj, por Serbisë, pikërisht për shkak të arsyeve që i përmenda dhe shkaqeve tjera të arsyeshme, për shkak të shikimit drejt së ardhmes , dëshiron të zgjerojë bashkëpunimin e saj me NATO-n”, tha ai.

Kryeministri serb e vlerësoi me shumë rëndësi praninë e KFOR-it në Kosovë, në të cilin siç tha, serbët e Kosovës mbështeten shumë.

Bombardimet e vitit 1999 të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara, i kanë kthyer serbët kundër perëndimit dhe drejt Rusisë e cila po ashtu kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore.

Rusia kundërshton fuqishëm anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO, ndërsa është thellësisht e pakënaqur që Mali i Zi tashmë ka marrë ftesën për anëtarësim në aleancë./ Burimi: Zëri i Amerikës


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu