SHËNIM/ Kur të vjen për të vjellë: foli dhe Nard Ndoka për Erdoganin

Thamë kush do na ishte trimi këtë radhë? Epo doemos, kryeministri vajti e takoi Erdoganin në Stamboll, e do duhej të dilte dikush ta bënte për ujë të ftohtë!

Eshtë muzikë e vjetër kjo, ndryshim bën nganjëherë vetëm vegla me të cilën bie.

Prit e prit, e s’ka, e ja, na doli Nardi. As na kishte vajtur në mendje se do i binte radha Ndokës të na kujtonte se Erdogani na është kështu e ashtu…

Po, po, Ndoka, dora vetë filozofi, na e bëri për një lek Edi Ramën, e pas tij, kuptohet Erdoganin!

E të mjerat media na e shumëfishuan magjinë e fjalës së Nardit, apo Ndokës. E shumëfishuan se çoç tha…

Puna nuk është se foli Nard Ndoka. Puna është se sa të mjerë paskemi qenë ne, sa të marrë fund paskemi qenë ne, sa lëkurëtrashë e sa pa nerv paskemi qenë ne… ne që kur po afron fundi i dekadës së tretë që prej rënies së komunizmit, akoma dëgjojmë të na e bëjë politikën ky! Hapu dhé të futem!

“Zgjohu popull opozitar, 18 shkurti është një provë dhe mundësi për të gjithë,” e mbyll elegjinë e tij filozofi…

Në të dëgjoftë ty populli opozitar, mirë t’i bëhet!

Në i ka mbetur opozita për t’u bërë Nard Ndokës, më mirë pa opozitë!

Në pretendon opozita të marrë pushtetin e të qeverisë prapë me të, kurrë mos i vaftë mbarë!

Hap sytë o njeri, hap sytë se të iku jeta duke ta bërë politikën Nard Noka e të ngjashmit me të!

Më vjen për të vjellë… Ta kem nga ushqimi? Jo, e kam nga leximi! Ç’kusur të patëm ore Edi Rama, ore kryeministër, që shkove e takove Erdoganin e tani na duhet të dëgjojmë Nard Nokën… /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu